Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të paralajmërojnë pushtimin rus të Ukrainës në çdo kohë, Moska akuzon për “fushatë paniku” Perëndimin


Rusia mund të pushtojë Ukrainën “në çdo kohë” dhe qytetarët amerikanë duhet të largohen menjëherë, kanë paralajmëruar SHBA.

Një pushtim mund të fillojë me bombardime ajrore që do të vështirësojnë nisjet dhe do të rrezikojnë civilët, tha Shtëpia e Bardhë të premten.

Deklarata e SHBA-së bëri që vendet në mbarë botën të lëshojnë paralajmërime të reja për shtetasit në Ukrainë.

Stafi jo thelbësor është urdhëruar të largohet nga Ambasada e SHBA në Kiev, njoftoi Departamenti i Shtetit në një njoftim. Shërbimet konsullore do të pezullohen nga e diela, megjithëse SHBA “do të mbajë një prani të vogël konsullore” në qytetin perëndimor të Lviv “për të trajtuar emergjencat”.

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë Melinda Simmons ka postuar në Twitter se ajo dhe një ekip kryesor po qëndrojnë në Kiev.

Ndërkohë, Rusia tha se ka vendosur të “optimizojë” numrin e stafit të saj diplomatik në Ukrainë. Një zëdhënëse e ministrisë së jashtme përmendi frikën e “provokimeve” nga Kievi ose shtetet e tjera.

Përpjekjet për të ulur tensionet përmes diplomacisë do të vazhdojnë të shtunën, me presidentin e SHBA Joe Biden dhe presidentin e Francës Emmanuel Macron që do të flasin me telefon me homogun e tyre në Kremlin Vladimir Putinin.

Moska ka akuzuar vendet perëndimore për nxitjen e histerisë.

Në Twitter, zëvendësambasadori rus i OKB-së Dmitry Polyanskiy akuzoi Uashingtonin për ngritjen e një “fushate paniku”.

Parashikimet mediatike për datën e sulmit rus në Ukrainë

Mediat perëndimore kanë parashikuar edhe një datë tjetër për “pushtimin rus të Ukrainës” që supozohet se është afër, këtë herë duke pretenduar se mund të fillojë të mërkurën e ardhshme. Moska ka mohuar vazhdimisht planet për të sulmuar fqinjin e saj.

Der Spiegel raportoi të premten se CIA dhe ushtria amerikane paralajmëruan Gjermaninë dhe anëtarët e tjerë të NATO-s se Rusia po përgatitej për të sulmuar fqinjin e saj më 16 shkurt.

Sipas revistës gjermane, amerikanët përshkruan se cilat njësi specifike të Ushtrisë Ruse do të marrin pjesë në pushtim dhe cilat rrugë do të përdorin. Megjithatë, “nuk është e mundur” të përcaktohet nëse sulmi është i pashmangshëm, tha Der Spiegel.

Revista, megjithatë, citoi gjithashtu një burim “të brendshëm” të paidentifikuar të ketë thënë se Uashingtoni mund të ketë qenë duke përhapur qëllimisht informacionin për të parandaluar një sulm të mundshëm rus.

NatSec Daily e Politico në mënyrë të ngjashme citoi një burim të thoshte se Presidenti i SHBA Joe Biden paralajmëroi udhëheqësit perëndimorë në një telefonatë të premten se Moska mund të sulmonte më 16 shkurt. Disa zyrtarë amerikanë i thanë revistës se Rusia mund të nisë “një breshëri sulmesh me raketa” dhe sulme kibernetike në Ukrainë përpara se ta pushtonin atë me trupa./Hashtag.al


Informacionet e përdorura në artikull janë marrë nga BBC News dhe RT. 

Përgatiti për Hashtag.al: Klaudio Agolli