Protestuesit u mblodhën në Parlamentin në kryeqytetin australian, Canberra të shtunën, duke kërkuar përfundimin e masave kundër Covid-19. Demonstruesit, të cilët mbërritën me kamiona, makina dhe autobusa gjatë javës së kaluar, kishin ngritur kampin në një terren aty pranë.
Pamjet video të demonstratës treguan turma njerëzish që rridhnin në qytet dhe mblidheshin jashtë parlamentit. Gazetarja e ‘7News’, Jennifer Bechëati e përshkroi tubimin si ‘një nga protestat më të mëdha që kam parë ndonjëherë’.
Turmat e qytetarëve brohorisnin duke kërkuar largimin e kryeministrit Scott Morrison dhe kryeministrave të shteteve përgjegjës për zbatimin e disa prej kufizimeve më të ashpra në botë lidhur me pandeminë.
Në Victoria, për shembull, maskat e fytyrës dhe dëshmia e vaksinimit kërkohen në shumicën e ambienteve të brendshme dhe punonjësve në shumicën e sektorëve u kërkohet të vaksinohen për të punuar.
Të paktën tre persona u arrestuan të shtunën, me një të arrestuar për drejtimin e kamionit të tij përmes një postblloku.
Morrison iu përgjigj protestës duke u kërkuar pjesëmarrësve të demonstrojnë në një ‘mënyrë paqësore dhe të respektueshme’.
Udhëheqësi australian deklaroi se të gjitha pasaportat e vaksinave dhe kufizimet e tjera në vend, përveç disa rregullave për punonjësit e kujdesit shëndetësor, u zbatuan nga kryeministrat e shteteve dhe jo nga qeveria e tij.
Sipas shifrave të qeverisë, 94% e australianëve të moshës 16 vjeç e lart janë plotësisht të vaksinuar.
Protestat që përfshijnë kamionë dhe automjete të tjera janë duke u zhvilluar aktualisht në Kanada, Zelandën e Re dhe Francë, me protestuesit francezë që pritet të bashkohen me kamionistët dhe shoferët e tjerë evropianë dhe të shkojnë në Bruksel në fillim të javës së ardhshme.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani