Vendosni fjalën kyçe....

Shembet një pjesë e lokalit në Londër, 13 të lënduar (FOTO)


Trembëdhjetë persona kanë mbetur të lënduar pasi një kat i ndërmjetëm u shemb në një klub në lindje të Londrës.

Shërbimet e urgjencës u thirrën në barin “Two More Years” në Hackney Wick, ku zjarrfikësit shpëtuan shtatë persona të bllokuar pas incidentit.

Mjekët thanë se tre persona janë plagosur rëndë dhe 10 të tjerë kishin pësuar lëndime të lehta. Katër prej tyre u dërguan në spitale dhe në qendrat kryesore të traumës.

Hal, i cili është një punonjës i shëndetit mendor dhe terapist nga Stratford ndodhej në katin e ndërmjetëm kur u shemb. Ai ka arritur t’i shpëtojë rënies me disa gërvishtje.

“Dukej si një tërmet. Ju nuk mund të jeni të përgatitur për diçka të tillë.”– tha ai për BBC. Ai shtoi: “Fatmirësisht unë arrita të largohem. Ne të gjithë e ndihmuam njëri-tjetrin.”

Në një deklaratë të lokalit, thuhet se vendi do të mbetet i mbyllur “për momentin”, por nuk thuhet se çfarë e ka shkaktuar incidentin. Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan falënderoi shërbimin e ambulancës, brigadën e zjarrfikësve dhe policinë për “veprimin e tyre të shpejtë”.

Ai u uroi të lënduarve “shërim të shpejtë”.