Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka folur sot lidhur me nismën e re për dhënien e statusit “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, pas konstituimit të Komisionit Qendror për dhënien e këtij statusi.
Ajo u shpreh se kjo është një tjetër dëshmi e angazhimeve të qeverisë shqiptare për ta bërë këtë vit, vitin e fëmijëve.
“Dhënia e statusit për Fëmijë në Përkujdesje të Republikës do të jetësohet menjëherë pas kësaj mbledhjeje të parë. Ashtu sikurse ne të gjithë e dimë ka qenë një angazhim i vetë Kryeministrit Rama për inicimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm, i cili mbron fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e atyre të cilët kanë dhënë jetën në shërbim të tjetrit, kanë sakrifikuar jetën e tyre për ata të cilët kanë pasur afër dhe për t’i shpëtuar ata.
Ashtu sikurse janë policët, mjekët, infermierët dhe të gjithë ata të cilët kanë marrë apo kanë përfituar statusin ‘Dëshmor i Atdheut’, por që deri më sot përfitimet kanë qenë të kufizuara përsa i përket fëmijëve.”- tha Manastirliu.
Duke folur për përfitimet që garanton ligji i ri, Manastirliu tha: “Ky ligj garanton një paketë të plotë përfitimesh duke nisur nga mbështetja financiare me pagën e prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës pikërisht duke e përfituar deri në moshën 25 vjeçare nëse vazhdon edhe shkollën e lartë. Është një hap përpara në të gjitha politikat tona për mbështetjen e fëmijëve pa kujdes prindëror. Fakti që ne sot jemi këtu dhe miratojmë të gjithë paketën e instrumenteve për ta bërë realitet sa më shpejt të jetë e mundur këtë ligj, tregon edhe një herë angazhimin dhe zbatimin e atyre premtimeve që ne kemi dhënë”.
Ministrja tha se së shpejti në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të dalë njoftimi për thirrje për aplikim për të gjithë ata të cilët janë përfitues nga ky ligj, duke theksuar se aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit.