Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për Inceneratorët, dëshmitarët e parë që janë pyetur janë: administratori i shoqërisë “Intergrated Technology Servis” shpk Faraudin Arapi si dhe Administratori i Shoqerise “Albtek Energy” shpk Arjan Baci.
Të pyetur kyetarja e Komisionit Jorida Tabaku, nëse i njihnin personalisht pronarët e kompanisë, dy dëshmitarët e mohuan këtë.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku deklaroi se kompania e inceneratorëve ka marrë kredi me garanci sovrane gjatë pandemisë për të paguar paga.
“U mor kredi bankare gjate pandemisë për paga rreth 4 mijë euro.”- tha Tabaku.
Pjesë nga biseda:
Jorida Tabaku: Arjan Baci është administrator i shoqërisë “Albtek Enrgy” shpk?
Arjan Baci: Po jam emëruar në vitin 2021. Nga ajo kohë deri më tani menaxhojmë pasuritë
Jorida Tabaku: Për sqarim të dy menaxhojnë dy kompanitë që zotëronin Klodian Zoton e Stela Gugallën. A i njihni personalisht?
Faraudin Arapi: Jo, për herë të parë i kam dëgjuar pas vendimit të gjykatës.
Arjan Baci: Jo, nuk i njoh
Jorida Tabaku: A është në funksion inceneratori?
Faraudin Arapi: Në momentin që është marrë në dorëzim, inceneratori ka qenë në punë, ka kryer incenerim e djegie të mbetjeve, energjia e prodhuar e fakton këtë gjë. Ky incinerator merr energji dhe shumicën e kohës eksporton. Diferenca është diku tek 6 milion e 700 mijë.
Jorida Tabaku: Kompania nuk është e licencuar nga ERE, si administrohet për energjinë?
Faraudin Arapi: Nuk di ta them, ERE nuk ka rënë dakort për çmimin, pasi pretendon se këto lloj impiantesh, kur prodhimi i energjisë është më pak se 2 mvat…prandaj ka ngelur kontrata e shitjes së energjisë elektrike pezul. Vendimi është komisionuar dhe i ka dhënë të drejtë shoqërisë Albtech dhe është kërkuar që të vendoset çmimi.
Jorida Tabaku: Ndoshta është teknike por ka pasur një vlerë abuzive, ERE nuk është përfshirë në vendosjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shitja nuk realizohet, mosmarrëveshja është në gjykatë. Në bilancet që kam marrë nga QKB ju besoj e keni parë shëndetin financiar të kompanisë, kompania ka deklaruar fitim dhe ka bërë një shpërndarje dividenti 2 mln euro, kur ka ende shpenzime të mbartura e s’ka mbyllur bilancet.