Vendosni fjalën kyçe....

Deputeti socialist e “kërcënon” me shkarkim, Tabaku: Po mbroni kriminelët


Seanca e sotme e marrjes në pyetje të dëshmitarëve në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve, u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës.

Deputeti i Partisë Socialiste, Besian Ajazi akuzoi kryetaren e këtij Komisioni Jorida Tabaku, për moszbatimin e rregullores dhe kodit të procedurës penale në komision.

Ai thotë se marrja në pyetje e gazetarit Artan Rama është në kundërshtim me rregullohen e madje e kërcënoi Tabakun se do marrin masa për shkarkimin e saj nga drejtimi i komisionit.

“Zonja kryetare besoj se dhe nga përgjigjja e zotit Rama, Artani është në papajtueshmëri me statusin e dëshmitarit, neni 156 gërma ç, që kështu nuk është e udhës të vazhdojmë në shkelje të ligjit.

U bë e disata herë që unë personalisht, por dhe kolegë të tjerë të maxhorancës, jemi ndjerë në një drejtimin tuaj të komisionit jo ligjor, jo në bazë të rregullores dhe mos na detyroni të shkojmë në ato hullira që të kërkojmë shkarkimin tuaj si kryetare, pasi jeni në shkelje të ligjit, në shkelje të rregullores dhe në shkelje të kodit të procedurës penale.”–  tha Ajazi.

Por Tabaku iu përgjigj kolegut të maxhorancës se frikë duhet të kenë ata të cilët po mbrojnë kriminelët dhe aferën korruptive.

“Zoti Ajazi për sa kohë ne jemi duke hetuar një aferë korruptive, që është shkelur ligji me të katërta këmbët dhe ju po flisni dhe po mbroni kriminel në kërkim, frikë sduhet të kem unë frikë duhet të kenë ata që mbrojnë kriminelët.”– iu përgjigj Tabaku.

Kujtojmë se më herët edhe deputeti socialist Arben Pëllumbi shprehu kundërshtime për dëshminë e gazetarit tjetër Jetmir Olldashi.