Vendosni fjalën kyçe....

ZBULOHEN DOKUMENTET – Gjyqtari Kastriot Gramshi mashtroi komisionin e vettingut


Gjyqtari i Tiranës Kastriot Gramshi dyshohet se ka mashtruar anëtarët e Komisionit të Vettingut, ndërsa jepte shpjegime për një ndërtim shtesë pa leje që kishte dyfishuar hapësirën e shtëpisë së tij.

seancën dëgjimore të së martës së 15 shkurtit Gramshi u shpreh se ai kishte aplikuar në vitin 2016 për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës dhe kishte nisur ndërtimin e shtesës së shtëpisë në vitin 2017.

U shpreh Gramshi në seancë:

“Denoncimi për ndërtim pa leje është kryer nga një person i proceduar ndaj të cilit unë kam caktuar masat e sigurimit. Leja e ndërtimit është kërkuar në 2016-ën, ndërsa punimet filluan në vitin 2017, vit në të cilin dhe përfunduan”.

Por një dokument i siguruar nga Hashtag.al sugjeron se Gramshi ka mashtruar anëtarët e KPK-së, pasi nëpërmjet një shkrese zyrtare Bashkia e Tiranës ka konfirmuar se gjyqtari Gramshi nuk ka aplikuar asnjëherë për leje ndërtimi për shtesën që ka ndërtuar.

Nga ana tjetër që prej vitit 2017 kur ai ka përfunduar dhe ndërtimin e shtesës që dyfishoi sipërfaqen e shtëpisë, nuk rezulton që Kastriot Gramshi të ketë aplikuar për legalizimin e saj.

Ky fakt konfirmohet nga një tjetër shkresë zyrtare nga Agjencia e Kadastrës, e cila konfirmon se Gramshi nuk ka aplikuar asnjëherë për legalizimin e këtij ndërtimi.

Mos aplikimi për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës dhe mungesa e një kërkese për legalizimin e shtesës pa leje, e vendos gjyqtarin Gramshi jo thjesht në pozitat e shkeljes së ligjit, por dhe të fshehjes së pasurisë, pasi nuk rezulton asnjë akt ligjor që të vërtetojë se Gramshi ka dashur ta formalizojë ligjërisht ndërtimin pa leje. /Hashtag.al