Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për bashkinë e Durrësit Ardian Muka, kanë zhvilluar pasditen e sotme një takim me strukturat e Partisë Demokratike në zonën e Shkozetit.
Gjatë fjalës së tij, ai e konsideroi “Shtëpinë e Lirisë” si opozitën e vërtetë në këtë vend.
“Kam një kënaqësi të veçantë kur takoj drejtues dhe anëtarë të strukturave të PD, jo vetëm se jemi në një familje, por sot ne më shumë se kurrë në 30 vite, jemi në mision.
Ne jemi më të fortit dhe të pamposhturit. Të tillë jemi ne sot në misionin tonë, me të cilin 30 vite më parë rrëzuam diktaturën, kurse sot kemi përballë narkoshtetin, i bazuar në krimin dhe drogën që po e shkatërron këtë vend dhe qenien shqiptare.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë shprese ngjallët ju me ‘Foltoren’ për tu ngritur në këmbë, si opozitë e vërtetë. Vetëm opozita e vërtetë fiton mbi një regjim, siç është qeveria e Edi Ramës.
Kam kënaqësi të madhe që gjej strukturat e PD, më të vetëdijshme se kurrë për misionin e tyre të jashtëzakonshëm në këtë kohë dhe proces zgjedhor”- deklaroi Berisha.
Ndërsa kandidati Muka tha se më 6 Mars do ia dalin t’i kthejnë bashkinë e Durrësit qytetarëve.
“Mund të jem një përfaqësues i denjë në bashkinë e Durrësit. Ne të gjithë bashkë do t’ia dalim që më 6 mars, t’ia kthejmë bashkinë qytetarëve. Ka një kryetare bashkie që është manekine, që merr urdhra nga Tirana dhe nga Vangjushi.”– tha ai. Sëbashku me Berishën, Muka ka zhvilluar të tjera takime pasditen e sotme në të tjera njësi administrative në Durrës.