Sasia e prodhimeve të Serbisë në tregun e Kosovës ka rënë për gati 37 për qind vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2017, tregojnë të dhënat e Doganave të Kosovës.
Sipas llogaritjeve të tyre, vlera e importit të mallrave serbe në Kosovë ka qenë 450 milionë euro në vitin 2017, apo 36.8 për qind më shumë se në vitin 2021, kur ky import ka arritur në 305 milionë euro.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Odën Ekonomike të Serbisë dhe disa kompani të këtij vendi që eksportojnë në Kosovë – të tilla si “Metalac”, “Point Group”, “Mladost” dhe “Polimark” – por ato nuk kanë dashur të flasin për vlerën e eksporteve të tyre në Kosovë.
“Alco Group”, një ndërmarrje që përfshin disa marka prodhuesish nga Serbia, si “Pionir” i çokollatave dhe ëmbëlsirave dhe “Hisar” i produkteve të frutave dhe perimeve, ka konfirmuar për REL-in se eksportet e tyre në Kosovë “kanë rënë për një moment”, por nuk kanë dhënë më shumë detaje.
“Për sa u përket vlerave të eksporteve [sa eksportojnë dhe a kanë pasur humbje], nuk flasim dhe kaq”, kanë thënë shkurtimisht nga “Alco Group”.
Afaristë dhe qytetarë që kanë folur për REL-in në Prishtinë, kanë thënë se pas aplikimit të taksës 100% për produktet e Serbisë dhe pastaj masës së reciprocitetit, ata nuk u janë rikthyer mallrave serbe.
Për gati dy dekada deri në vitin 2018, Serbia ka qenë shteti me sasinë më të madhe të mallrave në tregun e Kosovës. Gjatë një dite, ky shtet ka eksportuar në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 1.2 milion eurosh. Shumica e eksporteve kanë qenë nga industria ushqimore dhe ndërtimore.
Në nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr në atë kohë nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka vendosur taksë doganore 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina – të dyja vende që s’e njohin Kosovën – me qëllim të, siç ka thënë, forcimit të prodhimit vendor, të ekonomisë dhe të shtetësisë së Kosovës.
Pas më shumë se një viti, taksa është zëvendësuar me reciprocitet nga Qeveria e Kosovës, e cila edhe atë kohë është udhëhequr nga kryeministri aktual, Albin Kurti.
Reciprociteti ka nënkuptuar që dokumentet përcjellëse të produkteve serbe, të lëshoheshin në përputhje me ligjet e Kosovës, gjë që ka nxitur reagime dhe kundërshtime nga Serbia.
Reciprociteti është hequr pas rreth 50 ditësh nga pasuesi i Kurtit në atë kohë, Avdullah Hoti.
Mbi një vit e gjysmë taksa dhe reciprocitet kanë bërë që prania e prodhimeve serbe në tregun e Kosovës të zvogëlohet gradualisht, ashtu si edhe kërkesa për to.
Sipas Doganave të Kosovës, vlera e importit nga Serbia – nga 450 milionë euro sa ka qenë në vitin 2017, ka rënë në 389 milionë euro më 2018, në 6 milionë më 2019, ndërsa është ringritur në 174 milionë më 2020 dhe në 305 milionë më 2021.
“Para vitit 2018, para taksës, edhe unë kam blerë produkte serbe, nuk e kam shikuar prejardhjen”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jasmina Hasangjekaj, një konsumatore që po furnizohej në një dyqan ushqimor në Prishtinë.
“Pas vendosjes së taksës dhe tash, në 99 për qind të rasteve, e shikoj prejardhjen e produktit. Nëse është nga shteti i Serbisë, nuk e blej. Tash edhe i njoh produktet e tyre dhe nuk i vendos në shportë”, thotë ajo.
Nga zinxhiri i dyqaneve ushqimore në Kosovë “Viva Fresh” konfirmojnë për REL-in se qysh pas vendosjes së taksës, “ka pasur ulje të konsumit të produkteve me origjinë nga Serbia” dhe rritje të konsumit të produkteve të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera, si: Maqedonia e Veriut apo Turqia.
“Në dyqanin tim ka rënie deri në 70 për qind të blerjes së produkteve serbe”
Fidaim Rushiti, pronar i një dyqani ushqimor në qendër të Prishtinës, thotë se kërkesat e tanishme për produkte nga Serbia nuk krahasohen me ato të viteve para 2018-ës.
“Në dyqanin tim ka rënie deri në 70 për qind të blerjes së produkteve serbe, në krahasim me vitet paraprake. Kështu që edhe unë kam zvogëluar sasinë e importit, sepse nuk kërkohen. Ato produkte, sidomos biskotat, çokollatat, keçapi, majonezi, që dikur janë shitur shumë, sot kërkohen pak”, thotë Rushiti.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se mungesa, për një periudhë, e produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës, i ka drejtuar qytetarët dhe tregtarët kah zgjedhjet alternative.
Ai shton se si blerësit, ashtu edhe tregtarët ndikohen edhe nga çmimi.
“Qytetarët i dëshirojnë produktet vendore, por prapëseprapë, kur është në pyetje çmimi, i ndërrojnë ato me çfarëdo produktesh që gjenden në dyqan dhe vitrinë”, thotë Shahini.
Rritet sasia e produkteve nga Gjermania, Shqipëria…
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se nga viti 2018, sasia e produkteve gjermane në tregun kosovar është rritur për 13 për qind, e produkteve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për rreth 6 për qind dhe e atyre nga Kroacia për 3 për qind.
Përkundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të bisedimeve që ndërmjetëson Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia vazhdojnë të përballen me barriera të ndryshme tregtare.
Vitin e kaluar, vlera e eksportit të Kosovës në Serbi, sipas ASK-së, ka qenë 42 milionë euro, më 2020 ka qenë 30 milionë euro, ndërsa më 2019 – 27 milionë euro. Këto vlera janë shumë më pak se ato të eksporteve të Serbisë në Kosovë, gjatë viteve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë disa herë se reciprociteti do të jetë parim, mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës, dhe se nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit të plotë me Serbinë.
“Kosova dëshiron që reciprociteti i plotë me Serbinë të bëhet në atë mënyrë që të mos zhbëhet më”, ka deklaruar Kurti në muajin gusht të vitit të kaluar, por, deri më tash, nuk ka diçka konkrete në terren.
VINI RE: Ky material është pronë intelektuale e Radio Evropa e Lirë