Vendosni fjalën kyçe....

Administratorja e Inceneratorit të Tiranës nuk paraqitet në Komisionin Hetimor, Tabaku: Do e thërrasim sërish në drekë, nëse refuzon do i kërkojmë Policisë ta sjellë me forcë


Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për Inceneratorët, ishte thirrur për të dëshmuar Ariola Kodra, administratorja e Inceneratorit të Tiranës.

Mirëpo ajo nuk është paraqitur, gjë që nuk është pritur mirë nga kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku. Kjo e fundit tha se nëse Kodra nuk paraqitet do të kërkojmë ndihmën e policisë për ta marrë atë me forcë.

“Zonjën Kodra megjithëse kemi 20 minuta që e presim, nuk është shfaqur në Komision. Unë i kërkoj stafit të Komisionit Hetimor që të vendosemi në kontakt me të. Të gjejmë një numër telefoni, ta rithërrasim edhe një herë në drekë, në thirrjen e tretë, nëse nuk paraqitet, për zonjën Kodra ne do të bëjmë të njëjtën procedurë që propozuam për z. Loran Dusha, do të njoftojmë shërbimet e Policisë së Shtetit për ta sjellë këtu me forcë.”- tha Tabaku.

Zonja Kodra ka dëshmuar para Komisionit disa ditë më parë, por asaj i janë kërkuar dokumente shtesë dhe është njoftuar të paraqitet sërish në Komision në orën 9.00.