Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, thotë se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë dërguar në rajonin shumë të diskutuar të Donbass, të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.
Në fillim të këtij muaji, inteligjenca e milicisë Donbass raportoi për praninë e mercenarëve britanikë dhe polakë që vepronin në afërsi të vijës së frontit në Ukrainën lindore.
Sipas Sputnik, ministri Lavrov thotë se Rusia po rishikon informacionet që sugjerojnë se mercenarë të tjerë janë duke u rekrutuar për t’u vendosur në Donbass nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja.
Ai po fliste për rastin e Kosovës dhe ndërhyrjen që bëri NATO në vitin 1999 në momentin kur bëri këtë deklaratë. Sipas Lavrovit rajoni i Ballkanit Perëndimor është “larg nga lulëzimi” ndryshe nga sa pretendon NATO dhe Perëndimi.
“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen një terren pjellor për krim. Ka terroristë, tregtarë droge. Është një terren rekrutimi për mercenarët që marrin pjesë në konflikte të cilat po nxiten gradualisht, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.
Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, ndër të tjera, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion tani.”- tha ministri i Jashtëm rus.