Vendosni fjalën kyçe....

Stoltenberg letër ministrit të Jashtëm rus për krizën në Ukrainë: Jemi të shqetësuar


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zbuluar sot se ai i kishte dërguar një letër ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Në këtë letër ai thotë se i ofton më shumë bisedime Rusisë për të zbutur një konflikt të mundshëm në Ukrainë, por paralajmëroi Moskën për rreziqet që sjellin kërkesat e saj të pamundura të sigurisë.

Siç shkruan Reuters, Stoltenberg tha se ai e dërgoi letrën të enjten, duke i kërkuar Lavrovit të pajtohej për më shumë bisedime në formatin e Këshillit NATO-Rusi.

“Kam ftuar Rusinë dhe të gjithë aleatët e NATO-s në takimet në Këshillin NATO-Rusi. Dhe unë e përsërita ftesën time në letrën që i dërgova ministrit Lavrov të enjten.”– tha ai, citon Reuters.

Ai gjithashtu tha në Konferencën e Sigurisë së Mynihut nuk kishte shenja të një tërheqjeje ruse nga kufijtë e Ukrainës – pavarësisht pohimit të Rusisë këtë javë se kishte filluar tërheqjen e trupave dhe sipas tij rreziku i një konflikti në Ukrainë është real.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar sepse shohim se ata vazhdojnë të ndërtohen, vazhdojnë të përgatiten. Dhe ne kurrë nuk kemi parë në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, një përqendrim kaq të madh të trupave të gatshme për luftim.”– tha Stoltenberg.

Në një pranim të rrallë të kufijve të diplomacisë, Stoltenberg tha gjithashtu në konferencë se Moska po parashtronte kërkesa sigurie që Kremlini e dinte se NATO nuk mund t’i përmbushte kurrë.

Në konfliktin për Ukrainën, Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit me fqinjin e saj, ndërsa këmbëngul se nuk ka plane për të pushtuar. Presidenti Vladimir Putin po këmbëngul në kërkesat e tij për sigurinë duke përfshirë bllokimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Por NATO nga ana tjetër ka thënë se, sipas traktateve të OKB-së, çdo komb është i lirë të zgjedhë aleancat e tij.

“Kështu që ky rrezik është tani kombinimi i kësaj ngritjeje masive ushtarake, me retorikën shumë kërcënuese, duke paraqitur kërkesa që ata e dinë se ne nuk mund t’i përmbushim dhe thonë nëse nuk i përmbushim ato, do të ketë pasoja ushtarake.”– tha Stoltenberg.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se kërcënimet e Moskës ndaj Ukrainës mund të riformësojnë të gjithë sistemin ndërkombëtar dhe gjithashtu do t’i kushtojnë Moskës ekonomikisht.

“Bota ka parë me mosbesim teksa përballemi me grumbullimin më të madh të trupave në tokën evropiane që nga ditët më të errëta të Luftës së Ftohtë, sepse ngjarjet e këtyre ditëve mund të riformësojnë të gjithë rendin ndërkombëtar.”– tha von der Leyen.