Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson: Nëse Rusia pushton Ukrainën, tronditja do të jehonte në mbarë botën


Kryeministri britanik Boris Johnson u tha sot liderëve të tjerë botërorë se “tronditja” e çdo pushtimi të Ukrainës nga Rusia do të “jehonte në mbarë botën”.

Në një fjalim në Mynih, Johnson tha se nuk e di se çfarë synon presidenti rus Vladimir Putin, por “oguret janë të zymta”.

“Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të qëndrojmë të fortë së bashku.”– tha ai, citon BBC.

Johnson thotë se ne duhet të jemi “të palëkundur” për situatën në Ukrainë dhe nuk duhet “të nënvlerësojmë gravitetin e këtij momenti”.

Vendet perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia mund të pushtojë Ukrainën në ditët në vijim, ndërsa mbi 130 mijë trupa thuhet se janë mbledhur pranë kufirit me Ukrainën.

Ata akuzojnë Rusinë se po përpiqet të organizojë një krizë të rreme në një rajon separatist lindor të Ukrainës, për t’i dhënë më pas një arsye për të pushtuar.

Por Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat se ka plane për të pushtuar fqinjin e saj, duke thënë se trupat po kryejnë stërvitje ushtarake në rajon. Moska e ka akuzuar Perëndimin për “histeri“.

Johnson theksoi se Mbretëria e Bashkuar ende shpreson që diplomacia dhe dialogu të kenë sukses në zgjidhjen e krizës.

Duke kërkuar unitet mes aleatëve perëndimorë të Mbretërisë së Bashkuar, ai tha: “Sa herë që ministrat perëndimorë kanë vizituar Kievin, ne kemi siguruar popullin e Ukrainës dhe udhëheqësit e tyre se do të qëndrojmë të bashkuar pas sovranitetit dhe pavarësisë së tyre.

“Sa të zbrazëta, sa të pakuptimta, sa fyese do të dukeshin ato fjalë, nëse pikërisht në momentin kur rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e tyre, ne thjesht do të shikojmë tutje.”- u shpreh ai.

Nëse Ukraina do të pushtohej, Johnson tha se “ne do të dëshmojmë shkatërrimin e një shteti demokratik, një vend që ka qenë i lirë për një brez, me një histori krenare zgjedhjesh”.

Rusia i ka rezistuar prej kohësh lëvizjes së Ukrainës drejt institucioneve perëndimore, përfshirë NATO-n, duke e parë zgjerimin drejt lindjes së aleancës ushtarake si një kërcënim për sigurinë e saj.