Vendosni fjalën kyçe....

Dëshmitarja refuzon të flasë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët: Më kanë kërkuar në SPAK të mos cenoj hetimet


Këtë të hënë në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve ishte thërritur ish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, Valbona Ballgjini.

Mirëpo, ajo refuzoi të japë dëshminë e saj. Kjo për shkak se ajo e ka dhënë dhëshminë e saj në SPAK dhe atje i kanë kërkuar që të mos japë deklarata që mund të cënojnë sekretin e hetimit.

“Në momentin që jemi thërritur në SPAK na është lënë detyrë që asgjë të mos dalë nga ajo që është diskutuar atje. Kam ardhur në respekt të atij komisioni, por nuk do të jap asnjë përgjigje për asgjë, sepse më kanë thënë nga SPAK që çdo deklaratë cënon sekretin hetimor. Për aq kohë sa kemi firmosur deklarata, nuk na lejohet të flasim për atë që është diskutuar.”- deklaroi Ballgjini.

Pas deklaratës së saj, në Komision nisën debatet.

Pjesë nga diskutimi:

Tabaku: Jeni thërritur për të dëshmuar në SPAK?

Ballgjini: Po, jam thërritur disa herë.

Tabaku: Ne do të procedojmë me pyetjet dhe ju do të nisni përgjigjet. Ne nuk duam të cënojmë hetimin që po ndodh nga SPAK dhe ju do të përgjigjeni nga përgjegjësitë që keni pasur.

Ballgjini: Në momentin që jemi thërritur në SPAK na është lënë detyrë që asgjë të mos dalë nga ajo që është diskutuar atje. Kam ardhur në respekt të atij komisioni, por nuk do të jap asnjë përgjigje për asgjë, sepse më kanë thënë nga SPAK që çdo deklaratë cënon sekretin hetimor. Për aq kohë sa kemi firmosur deklarata, nuk na lejohet të flasim për atë që është diskutuar.

Tabaku: Nuk je personi i parë që kanë dëshmuar në SPKA. Zoti Shalsi na tha që ka grupe të ndryshme dëshmitarësh, që janë thërritur për qëllime të ndryshme. Bazuar edhe mbi komunikimin e zotit Shalsi me prokurorët zgjodhëm të firmosnim një deklaratë, për këtë që thatë, ne e kaluam këtë procedurë. Duam që të jemi më produktivë sepse dëshmia është më e rëndësishme. Unë mendoj që me zonjën Ballgjini të veprojmë si personin për Inceneratorin e Fierit. Sekretaria mund të vijë dhe të marrë për të administruar, siç bëmë për rastet e tjera.

Shalsi: E kam theksuar disa herë në këtë mbledhje se sa kujdesshëm duhet të jemi teksa i drejtohemi dëshmitarëve dhe njëri-tjetrit. Kam pjesë të procesverbalit dhe atë që ç’kam thënë unë, që në fakt nuk është ajo që ju thatë. Kam përmendur studentë të Fakultetit Juridik të cilët po ndjekin edhe për eksperiencë se çfarë themi ne në këtë komision. Kam cituar shprehimisht gjyqtarë dhe prokurorë të cilët janë të shqetësuar se ne po cënojmë një hetim paralel që organet kanë marrë përsipër. Ju thatë Shalsi është në komunikim me prokurorët e SPAK-ut. Jo. Nuk jam në komunikim me ta. Kam sjell një interpretim që po diskutohet nga ekspertë të fushës, që janë të shqetësuar se mos po cënohet hetimi. Madje, ka nga ata që dyshojnë se me sjelljen tonë po sabotojmë hetimin. Teksa i referohesh asaj që ne themi, ta citosh ashtu siç e themi ne. Ne këtu jemi për të mbështetur veprimtarinë e komisionit, për të hedhur dritë për të vërtetën. Nuk bëhemi mbrojtës për askënd që ka probleme me ligjin. Nga ana tjetër, nuk mund të mos shprehim shqetësimin tonë mbi cënimin e një procesi aq sa disa mendojnë që edhe po sabotojmë procesin.

Tabaku: Zonja Ballgjini duke refuzuar të dëshmojë po bën një shkelje penale.

Zhupa: Zonja Tabaku duhet të jeni shumë e lumtur ku ju kanë dhënë medalje duke ju cuar në SPAK për korrupsionin e tyre. Edhe kreun e SPAK-ut duan ta intimidojnë duke e vendosur përballë një vepre penale sepse ju ka takuar ju. Ju po bëni zhurmuesin e kësaj seance. Deklaratat për SPAK-un bëjini ku të doni, por mos i bëni në këtë komision për të intimiduar SPAK-un, ndoshta do t’ju vij radha sepse edhe ju keni firmosur për këtë aferë. Ju keni marrë kohë për të bërë një mbrojtje politike dhe mos lejuar politikanët për të dëshmuar.

Tabaku: Ju falënderoj që erdhët në këtë komision, do e mbyll dhe do të vijojmë në orën 13:00 me kryetaren e bashkisë së Durrësit.