Analisti Andi Bushati ka komentuar deklaratën e ambasadores së SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim, lidhur me kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit.
Në një shkrim me titull “Yuri Kim e shndërroi 6 marsin në test për veten” publikuar në portalin e tij Lapsi.al, Bushati shprehet se deklarata e Kim sot ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj të gjashtë emrave që ka propozuar në këtë garë “Shtëpia e Lirisë”.
Sipas tij, edhe pse Kim u përpoq ta korrigjonte deklaratën, duke thënë se “Non Grata” nuk është vetëm Sali Berisha, goditjen e hapur ajo e ka bërë vetëm kundër tij. Bushati argumenton se nuk ka mbajtur të njëjtat qëndrime lidhur me kandidatë të tjerë të lidhur me të tjerë “non grata”, si përshembull me Vangjush Dakon në Durrës.
“Pra, duhet të jesh idiot që të mos e kuptosh se znj.Kim mori qëndrim vetëm kundër kandidatëve që mbështet, non grata i katërt: Sali Berisha. Dhe kjo është një sjelle konstante. Ajo ka ndërhyrë në mënyrë brutale në garën e brendëshme në PD-duke marrë anën e Lulzim Bashës.”- thotë Bushati.
Sipas analistit, ambasadorja amerikane po teston në këtë mënyrë edhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për Uashingtonin.: “Në këtë mënyrë ajo ka marrë përsipër riskun që përmes tij të testojë edhe përkrahjen për politikat e Uashingtonit në zgjedhjet e pjeshme lokale. Dhe duke qenë se në këtë garë do të votojnë afro 1/5 e zgjedhësve të të gjithë vendit, ajo duhet falenderuar, pasi në 6 mars do të kemi mundësi të vërtetojmë me numra edhe debatin idiot mes pro dhe anti amerikanëve të këtij vendi.”
Kujtojmë se më herët, Kim u drejtonte disa pyetje kandidatëve për zgjedhjet e 6 marsit ku shkruante se ‘nëse ata sponsorizoheshin nga një person i shpallur non grata nga SHBA-ja, çfarë po u premtonin votuesve.
“Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? (2/2) “Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?” – shkruante sot Kim në Twitter.
ANALIZA E BUSHATIT
Ambasadorja amerikane në Tiranë ka guxuar bastin më me risk që ndonjë nga paraardhësit e saj kanë vënë gjatë këtyre 30 vjetëve. Yuri Kim ka vendosur ta testojë popullaritetin dhe politikat që ka ndjekur përmes identifikimit me kandidatët e Lulzim Bashës, në zgjedhjet e 6 marsit. Tëitteri i saj për ata që sponsorizohen nga “Non Grata” ishte një goditje e drejtpërdrejtë ndaj të gjashtë emrave që ka propozuar në këtë garë “Shtëpia e Lirisë”. Më kot ambasadorja u rrek të korigjonte më pas, duke pretenduar se “Non Grata” nuk është vetëm Sali Berisha, por gjithashtu edhe tre të tjerë. Cicërima e saj e parë qe e qartë: aty flitej për personazhe që kanë kryer sipas shtetit të saj “Korrupsion domethënës”.
Kur foli për kandidatë në këto zgjedhje, nuk besohet se ajo e kishte fjalën për ndonjë që mund të mbështej prej Italisë nga Adriatik Llalla, i cili është arratisur aty për strehim politik, as për dikënd tjetër që përfaqëson Tom Doshin, i cili, formalisht nuk merr pjesë në këto zgjedhje.
E vetmja dilemë mund të ngrihet, nëse deklarata e Kim ishte për Vangjush Dakon, që po drejton fushatën e PS-së në Durrës. Por, as kjo hipotezë nuk qëndron. Dako luajti fiks të njëtin rol edhe para 25 prillit, kur mori në duar listën e PS në këtë qark, por Yuri Kim nuk pipëtiu atëhere, as për kandidatin për deputet Edi Rama, as për të singjajshmit e tij Ilir Nrdaxhi, Yrgis Çyrbja, Lefter Koka apo Rahman Rahja.
Pra, duhet të jesh idiot që të mos e kuptosh se znj.Kim mori qëndrim vetëm kundër kandidatëve që mbështet, non grata i katërt: Sali Berisha. Dhe kjo është një sjelle konstante. Ajo ka ndërhyrë në mënyrë brutale në garën e brendëshme në PD-duke marrë anën e Lulzim Bashës.
Edhe kur lëshoi të famshmen “do hani bar” edhe kur botoi foto me kopertinën e romanit të Heminguejit: “Për kë bien këmbanat”, në kulmin e shpërthimit të foltoreve të Berishës edhe kur deklaroi se ne nuk do kemi mardhënie, me një parti të drejtuar prej tij (ndryshe nga ambasadori i BE), fiks në momentin e dorëzimit të 4800 nënshkrimeve të delegatëve për mbledhjen nga poshtë të kuvendit edhe kur porositi intervistë në Top Channel, menjëherë pas mbrojtjes që i bëri Richard Grenell Berishës, ajo është bërë pjesë e lojës brenda një force politike, në shkelje flagrante të konventës së Vienës.
E gjithë kjo trajektore nuk ka kaluar pa pasoja. Që kur ndoqi urdhërat amerikanë Lulzim Basha është rrokullisur keq në sondazhe nga 66% që qe para përjashtimit të Berishës, në 38% në mes të janarit. Por, me surprizuesja qe një tjetër anketë e emisionit Barometër në Euroneës, e cila tregonte se preferencat e shqiptarëve për SHBA-në qenë sa gjysma e atyre për BE-në.
Pavarësisht nga këto sinjale Yuri Kim ka vendosur të përveshë mëngët duke u bërë pjesë në fushatë.
Në këtë moment kur pothuajse të gjithë e dinë se përçarja e PD-së do të nxjerrë fitues Edi Ramën, gara reale e 6 marsit është ajo që do të tregojë se kush e mban flamurin e shumicës së opozitës.
Investimi i ambasadores amerikane po shkon në këtë drejtim. Ajo po kërkon me ç’do kusht të pompojë kandidatët e dalë nga zyrat e vulës duke ulur ata që idhtarët e foltores kanë përzgjedhur me votën e tyre.
Ky është basti që Yuri Kim ka vënë për të mbështetur “zotin Luli Basha”. Në këtë mënyrë ajo ka marrë përsipër riskun që përmes tij të testojë edhe përkrahjen për politikat e Uashingtonit në zgjedhjet e pjeshme lokale. Dhe duke qenë se në këtë garë do të votojnë afro 1/5 e zgjedhësve të të gjithë vendit, ajo duhet falenderuar, pasi në 6 mars do të kemi mundësi të vërtetojmë me numra edhe debatin idiot mes pro dhe anti amerikanëve të këtij vendi.