Gazetarja Desada Metaj ka reaguar pas deklaratës së Sali Berishës se zgjedhja e saj në bordin e Autoritetit të Medias Audiovizive është tregues i bashkëqeverisjes Basha-Rama.
Metaj thotë se nuk ka qenë zëdhënëse e Bashës por vetëm ka drejtuar komunikimin e fushatës elektorale të PD-së për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Desada Metaj e mbyll me ironi reagimin e saj ndaj Berishës, duke thënë se “ka shpresuar gjithmonë se të paktën informacionet për zëdhënëset do t’i kishte të sakta. Duke u nisur dhe nga dobësia që ka për to”.
“Po ndiqja me shumë vëmendje zhvillimet në komisionin e inceneratorëve kur më thanë se Sali Berisha paska deklaruar se zgjedhja ime në bordin e AMA-s qënka tregues i bashkëqeverisjes, meqë aty drejton ish zëdhënësja e Ramës dhe unë (sipas tij) zëdhënëse e Bashës. Pozicion të cilin se kam patur kurrë.
Pas 22 vitesh në gazetarinë aktive kam drejtuar komunikimin e fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 25 prillit.
Kur PD mori vendim për t’u larguar nga çdo institucion, përfshirë parlamentin dhe bashkitë, ajo kishte përfaqësuesit e saj në AMA të bekuar dhe nga Sali Berisha.
Ata nuk e braktisën vendin në bord, duke qenë i vetmi institucion që kishte përfaqësues të PD.
Tani që dhe vetë Berisha është rikthyer në parlament dhe opozita sërish ka përfaqësuesit e saj në AMA, unë përfaqësokam bashkëqeverisjen.
Nuk kam patur kurrë dyshime për koherencën e munguar politike të Sali Berishës, por kam shpresuar gjithmonë se të paktën informacionet për zëdhënëset do t’i kishte të sakta.
Duke u nisur dhe nga dobësia që ka për to!”-shkruan Metaj.