Bashkimi Evropian njoftoi të martën propozimin e tij për një sistem të ri komunikimi të bazuar në hapësirë, i cili do të shërbejë si një ‘aset strategjik’ për vendet anëtare, teksa blloku shfrytëzon mundësi të reja në teknologjinë dixhitale.
Blloku tha se programi satelitor do ta ndihmojë atë ‘të sigurojë disponueshmërinë afatgjatë të qasjes së pandërprerë në mbarë botën në shërbimet e komunikimit satelitor të sigurt dhe me kosto efektive’ ndërsa kërkon të përmbushë objektivat e tij sipas strategjisë së Dekadës Dixhitale 2030.
Projekti, i parashikuar të kushtojë rreth 6 miliardë euro (6.83 miliardë dollarë), do të financohet nga një kombinim i kontributeve të sektorit publik dhe privat, duke përfshirë 2.4 miliardë euro (2.73 miliardë dollarë) drejtpërdrejt nga buxheti i BE-së.
“Teknologjia hapësinore është thelbësore për jetën dhe sigurinë tonë të përditshme. Nismat e sotme do të sigurojnë lidhje të sigurt dhe efikase në çdo kohë,” tha Margrethe Vestager, Komisionerja Evropiane për Konkurrencën, duke njoftuar projektin.
Projekti satelitor vjen pothuajse një vit pasi BE-ja zbuloi vizionin e saj për Dekadën Dixhitale, e parë nga blloku si ‘kritike për të arritur shndërrimin drejt një ekonomie klimatike asnjanëse, rrethore dhe elastike’.