Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i spiunazhit britanik jep alarmin për ndërhyrje të Kinës e Rusisë, kërkon ligje më të ashpra


Kreu i shërbimit të brendshëm të inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar, MI5, Ken McCallum, ka këshilluar deputetët që të kenë kujdes nga ‘lajmërimet për ndërhyrje’ të Kinës dhe Rusisë, të cilat ai beson se do të ndodhin gjithnjë e më shpesh pasi këto dy vende pretendohet se synojnë epërsinë ndërkombëtare.

Në një intervistë me Daily Mail, McCallum tha se, që nga skandali i spiunazhit të janarit në parlament që përfshin ‘agjenten’ kineze Christine Lee, disa deputetë kanë ngritur shqetësime për qasjen e dyshuar. Sipas shefit të MI5, Rusia dhe Kina po përpiqen gjithashtu të kenë qasje tek këshilltarët në mënyrë që të informohen për veprimtaritë e kryeministrit.

“Gjithmonë do të ndodhë që ata që kërkojnë të ushtrojnë ndikim në jetën tonë politike do të duan të ndikojnë tek ata këshilltarë në mënyrë që këndvështrimi i tyre të dëgjohet. Vetë ata këshilltarë zakonisht janë shumë të vetëdijshëm për këto rreziqe,” tha Mçallum.

Shkalla e veprimtarive të këtyre kundërshtarëve është aq e madhe sa MI5 përballet me një zgjedhje të vështirë se kujt t’i japë përparësi: terroristëve të rritur në vend apo spiunëve të huaj, rrëfeu Mçallum.

“Është e rëndësishme të mos e quajmë këtë si Luftën e Dytë të Ftohtë, por në të njëjtën kohë të jemi të qartë se jemi në një luftë këtu. Ne duhet të ngrihemi për vlerat tona, për sistemin tonë, për mënyrën e jetesës demokratike që ne dhe aleatët tanë e kemi të shtrenjtë”, tha kreu i MI5.

Sipas mendimit të McCallum, ligjet e tanishme të Mbretërisë së Bashkuar janë të vjetruara dhe të pamjaftueshme për t’u marrë me ‘botën e ndërlidhur më të shumëngjyrshme’ dhe për këtë arsye shërbimet e inteligjencës e gjejnë veten në një situatë zhgënjyese.

Ai nuk e injoroi as krizën në Ukrainë, duke thënë se ajo mund të ketë një ndikim negativ për Mbretërinë e Bashkuar, me një rrezik në rritje të sulmeve kibernetike që kryeson listën e pasojave të mundshme.

Gjatë viteve të fundit, Britania e Madhe ka akuzuar Rusinë për sulme kibernetike dhe ndërhyrje politike në shumë vende. Akuza më e fundit ishte se Drejtoria Kryesore e Inteligjencës Ruse, e njohur më parë si GRU, qëndronte pas sulmeve kibernetike kundër sektorit financiar të Ukrainës, të cilat ndodhën në fillim të kësaj jave.