Vendosni fjalën kyçe....

Meta komenton deklaratën e ambasadores Kim për kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”: Iu takon qytetarëve të vendosin për të ardhmen e tyre


Presidenti i vendit Ilir Meta komentoi nga Durrësi deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim, lidhur me kandidatët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

I pyetur nga gazetarët për komentet e ambasadores, Meta tha se iu takon qytetarëve të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Jam i bindur që qytetarët e Durrësit, por jo vetëm do të zgjedhin me vullnetin e lirë për kandidatët më me integritet dhe garantojnë përkushtim sa më të madh ndaj komunitetit. Iu takon qytetarëve të vendosin për të ardhmen e tyre, duhet të kërkojmë ballafaqim programesh e idesh dhe të fitojnë.”- u shpreh Meta.

Kujtojmë se ambasadorja amerikane përmes një statusi në rrjete sociale, iu drejtua me një pyetje kandidatëve për zgjedhjet e 6 marsit: “Pyetje për kandidatët: Nëse sponsori juaj kryesor është dikush i caktuar nga SHBA për korrupsion domethënës, çfarë saktësisht po u premtoni votuesve? Kush do t’ju drejtojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin SHBA?”.

Meta ishte sot në Durrës për ceremoninë e vlerësimit me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, për portierin durrsak Vladimir Ajazaj (pas vdekjes).

Ai iu përgjigj interesit të gazetarëve edhe për punën e komisionet hetimor, ku sot është thërritur për të dëshmuar kryeministri Edi Rama.

“Mendoj se në radhë të parë është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë të flasin për këtë cështje dhe për të gjitha çështjet e tjera, mbi bazë të fakteve e provave për të drejtuar besimin te drejtësia të gjithë qytetarëve dhe njëkohësisht për të parandaluar abuzimet e rënda me taksat e qytetarëve me financat publike dhe për këtë kërkohet sa më shumë.”– tha Meta nga Durrësi.