Goditet një grup kriminal që merrej me trafikimin e makinave të vjedhura nga Kosova.
Policia ka njoftuar se në kuadër të operacionit të koduar ”Nacional”, janë vënë në pranga 7 persona mes të cilëve 3 punonjës të policisë.
Sipas uniformave blu, drejtuesi kryesor i grupit është identifikuar si shtetasi Selaudin Shahini, i cili në bashkëpunim me persona me të cilët ka lidhje familjare dhe shoqërore kishte krijuar një rrjet personash që trafikonin mjete motorike nga Kosova për në Shqipëri.
Hetimet zbuluan se shtetasi tjetër Ndriçim Shahini me lidhjet e tij shoqërore në shtetin e Kosovës siguronte vjedhjen e automjeteve të markave të ndryshme në këtë shtet. Pas kësaj personat e lartpërmendur ofronin ndihmën e tyre në transportin e këtyre mjeteve nga Kosova në Shqipëri.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Nacional”.
Operacioni nga DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë.
Goditet një grup i strukturuar kriminal, vihen në pranga 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës Policie.
Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP, DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Nacional”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Selaudin Shahini, 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Ndriçim Shahini, 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Ervis Cara, 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Vojsava Doda, 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe E. A., 24 vjeç, punonjës policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;
– Fatri Braha, 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Shtetasi S. Sh., i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Shtetasi N. Sh., nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet. Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë, dhe kalimin e tyre, e kryente shtetasi F. B., me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.
Vijon puna në bashkëpunim me autoritetet Policore të Kosovës, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.