Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria ruse u bën thirrje banorëve të Kievit që të evakuohen nga qyteti


Ministria ruse e Mbrojtjes u ka bërë thirrje civilëve ukrainas që të evakuohen nga Kievi.

Ata mund ta bëjnë këtë nëpërmjet autostradës drejt Vasilkov, një qytet që ndodhet 20 km në jugperëndim të kryeqytetit, thuhet në një deklaratë të bërë të hënën, ku shtohet se rruga në fjalë është e hapur dhe e sigurt.

Ministria tha se Rusia ‘sulmon vetëm objekte ushtarake’ dhe pretendoi se popullata civile nuk do të ishte në rrezik.

Thirrja erdhi të hënën ndërsa delegacionet ukrainase dhe ruse janë vendosur të fillojnë bisedimet e paqes në Bjellorusi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në një fjalim publik se ai kishte pritshmëri të ulëta për negociatat. Vendi i tij nuk ka ndërmend të dorëzohet, shtoi ai.

Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko i tha AP të dielën se qyteti ishte i rrethuar plotësisht nga trupat ruse, por u tërhoq nga pretendimi më vonë.

Qeveria ukrainase më parë shpërndau armë zjarri për civilët, liroi kriminelë me përvojë ushtarake nga burgu dhe u bëri thirrje njerëzve të përgatisin bomba Molotov për të luftuar trupat ruse.