Presidentja e Komisionit Evropian ka pohuar se BE-ja dëshiron të shohë Ukrainën që t’i bashkohet radhëve të saj.
Deklarata e saj vjen teksa Rusia ka nisur prej pesë ditësh një sulm ndaj Ukrainës dhe palët pritet të takohen ditën e sotme në Bjellorusi për të arritur një marrëveshje paqeje. Megjithatë, zyrtarja nuk dha më shumë hollësi dhe as një afat kohor për anëtarësimin e mundshëm.
“Ne kemi një proces me Ukrainën që është, për shembull, integrimi i tregut ukrainas në tregun europian. Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë në rrjetin e energjisë. Pra, shumë tema ku ne punojmë shumë ngushtë së bashku”, tha të dielën Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Me kalimin e kohës, Ukraina i përket BE-së, ata janë njëri prej nesh dhe ne i duam ata brenda unionit.” – shtoi ajo.
Kievi ka kërkuar prej kohësh të bashkohet me bllokun, megjithatë, procesi është zvarritur për vite me rradhë, me BE-në që heziton t’i premtojë anëtarësimin Ukrainës, duke i kërkuar asaj të kryejë reforma për të zbutur korrupsionin së pari.
Të shtunën, Zelensky i kërkoi BE-së të merrte një vendim ‘urgjent’ për anëtarësimin e vendit. Apeli tërhoqi mbështetje të menjëhershme nga Polonia dhe Lituania, të cilat më 23 shkurt nënshkruan një deklaratë duke thënë se Kievit duhet t’i jepet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE.
Duke folur për armiqësitë e vazhdueshme në Ukrainë, Von der Leyen theksoi nevojën për armëpushim, duke thënë se ishte ‘e rëndësishme që pala ukrainase të pajtohet me bisedimet e paqes me Rusinë’, me kusht që Kievi të jetë i kënaqur me kushtet.