Vendosni fjalën kyçe....

OBSH ngre shqetësimin: Rezervat e oksigjenit po pakësohen në mënyrë të rrezikshme në Ukrainë


Furnizimet jetike të oksigjenit për të trajtuar pacientët e sëmurë me Covid dhe sëmundje të tjera kritike, dhe ata që kanë pësuar lëndime nga lufta, janë duke u pakësuar rrezikshëm në Ukrainë. Të paktën kështu ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Siç shkruan BBC, kamionët nuk kanë qenë në gjendje të transportojnë furnizime nga fabrikat në spitalet brenda vendit, duke përfshirë kryeqytetin Kiev, që do të thotë se rezervat e disponueshme mund të mbarojnë brenda 24 orëve të ardhshme.

OBSH tha se po punon me partnerët për të marrë dërgesa urgjente përmes Polonisë.

“Situata e furnizimit me oksigjen është afër një pike shumë të rrezikshme.”– thanë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën Hans Kluge.

OBSH tha se disa fabrika në Ukrainë po përballeshin gjithashtu me mungesë të zeolitit – një produkt kimik thelbësor, kryesisht i importuar, që nevojitet për të prodhuar oksigjen të sigurt mjekësor.

Shërbimet spitalore janë gjithashtu nën kërcënim nga mungesa e energjisë elektrike.