Ushtria ruse do të vazhdojë operacionin special ushtarak në Ukrainë deri në arritjen e qëllimeve të saj. Kështu deklaroi sot ministri i Mbrojtjes i Federatës Ruse dhe gjenerali i ushtrisë, Sergei Shoigu.
“Grupimi i Forcave të Armatosura të Federatës Ruse do të vazhdojë të kryejë një operacion të posaçëm ushtarak derisa të arrihen qëllimet e përcaktuara.”- tha Shoigu në një konferencë të martën, citon agjencia e lajmeve TASS.
Shoigu u shpreh se mbrojtja e Rusisë nga kërcënimi ushtarak nga Perëndimi është detyra kryesore e operacionit special në Ukrainë. Sipas tij Perëndimi po e përdor Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
“Gjëja kryesore për ne është të mbrojmë Federatën Ruse nga kërcënimi ushtarak i paraqitur nga vendet perëndimore që janë duke u përpjekur të përdorin popullin ukrainas në luftën kundër vendit tonë.”– tha ai.
Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes tërhoqi vëmendjen për faktin se ushtria ruse nuk po pushton territorin ukrainas sipas tij dhe se po merr të gjitha masat për të ruajtur jetën dhe sigurinë e civilëve.
“Dëshiroj të theksoj se sulmet kryhen vetëm në objektiva ushtarakë dhe ekskluzivisht me armë të precizionit të lartë.”- shtoi ai.
Shoigu theksoi se gjatë përleshjeve, pala ukrainase vendosi “sisteme të shumta raketash dhe armë të kalibrit të lartë në oborret e ndërtesave të banimit, pranë shkollave dhe kopshteve, dhe po përdor civilët si mburoja njerëzore.”
Ai falënderoi personelin “për guximin dhe heroizmin, përmbushjen e ndërgjegjshme dhe profesionale të detyrave të caktuara”.