Eduard Prodani ka publikuar këtë të hënë një foto në rrjetet e tij sociale, ku tregohet se FSHF e njeh atë si Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, sipas vendimit të Gjykatës.
Ai tregon një email ku FSHF e fton atë të marrë pjesë në Asamblenë e Zakonshme Zgjedhore në statusin e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë.
Këtë screenshot, Prodani e shoqëron me një mesazh ku shprehet se FSHF më në fund e njeh rezultatin e zgjedhjeve. Ai zotohet se tanimë Tirana do të ketë një përfaqësi të vërtetë për futbollin e në shërbim të futbollit.
“ANËTARËVE TË SHOQATËS RAJONALE TË FUTBOLLIT TIRANË
Më në fund FSHF njeh rezultatin e ligjshëm të zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës. Beteja për transparencë dhe lufta për drejtësi ja vlejti.
Tashmë Tirana do të ketë një përfaqësi të vërtetë për futbollin e në shërbim të futbollit. Ashtu si ju kam premtuar do të jem zëri juaj dhe avokati i tërë komunitetit të futbollit në Kryeqytet.
Falenderoj të tërë ata që më besuan, më inkurajuan dhe më mbështetën në këtë përpjekje.
Mezi pres t’ja nisim punës së bashku!”– shkruan Prodani.