Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Kemi gati padinë e katërt për inceneratorët, evazioni fiskal kap vlerën e 53 mln dollarëve


Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi në emisionin “Pushteti”, se do depozitojë padinë e katërt në SPAK që ka të bëjë me evazionin fiskal që arrin në vlerën e 53 milionë dollarëve me të tre inceneratorët.

Ajo theksoi se tani LSI do të presë veprimin e SPAK e më pas do të rinisë të flasë për çështjen.

Komisioni Hetimor prej 4 muajsh me zgjatje mandati të cilat në një farë mënyrë ezauruan të gjitha proceset publike. Tashmë topi është në fushën e SPAK-ut. Në të katërta paditë që LSI ka paraqitur përveç inceneratorit të Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës është dhe i gjithë evazioni fiskal që sa më shumë t’i shikosh sa më shumë t’i hulumtosh do të shikosh që brenda tyre ka jo vetëm shkelje ligjore, shpërdorim detyre por ka një abuzim të jashtëzakonshëm me taksat e qytetarëve shqiptarë. Janë përdorur shumë mënyra. Përveç ryshfetit, një pjesë e kompanive të cilat janë kompani të krijuara apostafat vetëm për tërheqjen e parave nga fondet buxhetore që janë paguar në kompaninë e Klodian Zotos apo Stela Gugallias. Janë paguar disa kompani që kanë qenë të lidhura me zotin Lefter Koka dhe familjarët e tij. Bëheshin pagesa për punë të pakryera dhe paratë që lëviznin nga buxheti i shtetit tek Klodian Zoto dhe nga Klodian Zoto në xhepat e këtyre kompanive. Siç janë ‘Pivot 4’, ‘Sili SHPK’. Dhe është përsëri një grup tjetër me një evazion fiskal të jashtëzakonshëm që është rreth 53 milionë dollarë, të cilat janë para që nuk kanë lëvizur por kanë ngelur në llogarinë e Klodian Zotos. Janë prerë fatura fiktive, për kompani fiktive të cilat kanë qenë thjesht për të fryrë faturat në mënyrë që të rrisin volumin e punimeve që të justifikojnë paratë e marra“-deklaroi Kryemadhi.