Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e ka krahasuar operacionin ushtarak rus në Ukrainë me pushtimin e Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1979, duke thënë se një rezultat i ngjashëm mund të arrihet duke ndihmuar në armatosjen e rezistencës së Kievit ashtu si Uashingtoni mbështeti luftëtarët muxhahedinë kundër rivalit të tij të Luftës së Ftohtë.
“Mos harroni, rusët pushtuan Afganistanin në vitin 1980. Dhe megjithëse asnjë vend nuk hyri në luftë, ata sigurisht kishin shumë vende që i furnizonin armë dhe këshilla.” – tha Clinton për MSNBC.
Siç vuri në dukje Clinton, lufta në Afganistan ‘nuk përfundoi mirë’ për Bashkimin Sovjetik, pavarësisht statusit të tij si një superfuqi ushtarake.
“Fakti është se një kryengritje shumë e motivuar dhe më pas e financuar dhe e armatosur në thelb i dëboi rusët nga Afganistani.” – shtoi ajo.
Programi ‘Operacioni Ciklon’ i CIA-s dërgoi miliarda dollarë armatime për luftëtarët islamikë në Afganistan në vitet 1980. Clinton, e cila ka akuzuar prej kohësh Rusinë se ka ndihmuar Donald Trumpin për t’i vjedhur asaj zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, pranoi se krahasimi Afganistan-Ukrainë është problematik.
Për shembull, terreni dhe luftimet urbane në Ukrainë nuk janë aspak si ato që hasën sovjetikët në Afganistan.
Armët duhet të furnizohen si për forcat e qeverisë ukrainase ashtu edhe për luftëtarët vullnetarë, argumentoi Clinton. Ajo tha se dërgesat e armëve duhet të jenë në gjendje të kalojnë përmes kufijve të Ukrainës me disa vende fqinje.