Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PD-së: Faktet që zbulojnë përfshirjen e Alqi Bllakos në aferën e inceneratorëve


Deputeti i Partisë Demokratike Lefter Gështenja ka dalë sot në një konferencë për mediat për të denoncuar edhe njëherë tjetër aferën e ineneratorëve.

Gjatë fjalës së tij, Gështenja tha se në këtë aferë janë të përfshirë një sërë zyrtarësh megjithatë u ndal tek deputeti socialist Alqi Bllako.

Gështenja përmendi se një i afërm i deputeti Bllakos është i punësuar në një kompani koncesionare. Konkretisht babai i tij.

“Babai i Alqi Bllakos, Edmond Bllako, rezulton të jetë i punësuar në një kompani koncesionare për të cilën djali i tij ka qenë personi numër dy përgjegjës si Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Gjithashtu edhe si person përgjegjës kur ka qenë në krye të AKUM.”- tha Gështenja.

Sipas deputetit demokrat, në këtë aferë është e përfshirë gjysma e qeverisë.

DEKLARATA E PLOTË

Komisioni Hetimor për inceneratorët ka vërtetuar atë që PD ka thënë gjatë gjithë kohës:

Qeveria Rama abuzoi me 430 milionë euro te qytetarët shqiptarë.

Unë doja të përsërisja disa pyetje për te gjithë zinxhirin e zyrtarëve të përfshirë në këto koncesione:

Përse nuk ka pasur garë reale në asnjërën nga koncesionet, pra një procedure konkurruese siç e përcakton ligji, në mënyrë që të zgjidhej oferta më e mirë tekniko ekonomike.

Përse kompanitë fituese janë të regjistruar pak ditë para dorëzimit të studimit të fizibilitetit, për më tepër të pacilësuara në fushën e menaxhimit, trajtimit të mbetjeve apo incenerimit?

Si ka mundësi që i njëjti Autoritet kontraktor, për të njëjtin shërbim ka ndjekur tre procedura të ndryshme. Elbasani PPP me negocim pa shpallje, Fieri PPP negocim me shpallje dhe Tiranë me Koncesion.

Si shpjegohet që në te treja koncesionet janë përfshirë të njëjtët njerëz, të njëjtët persona si nga ana e koncesionarit ashtu edhe nga ana e qeverisë?

A ka dyshime që inceneratorët janë në pune apo jo, mjafton një fakt që shumë i thjeshtë qëllimi për të cilin është investuar: është djegia e mbeturinave e për rrjedhojë duhet të prodhojnë energji. Sot askush nuk prodhon energji dhe nuk kane kontrata me OSHEE apo EREN.

Faktet kryesore:

Përveç zyrtarëve të tjerë në këtë procedurë ka qenë dhe z. Bllako:

–              Z. Bllako ka qenë sekretar në Ministrinë e Mjedisit kur kanë nisur procedurat për inceneratorin e Elbasanit. Ai ka qenë në të gjitha shkresat si person në dijeni apo si person që ka drejtuar shkresat. Bllako ka qenë një person në dijeni kur është lajmëruar për gjendjen e emergjencës, më pas ka qenë pjesë e akteve dhe shkresave që kanë kaluar për këtë çështje.

–              Bllako është i përfshirë dhe në lidhje me inceneratorin e Fierit, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë ai ka qenë në dijeni të kompanisë që fitoi tenderin dhe koncesionin. Ai ka qenë në dijeni edhe se kompania ITS, që ishte kompania që merrte kontratat nga Albtek Energy, ishte aksionare në inceneratorin e Fierit. Sakaq kur u bë drejtor i AKUM ai ka qenë person përgjegjës dhe i përfshirë në lidhje me amendimin e kontratës së këtij inceneratori pasi ajo është firmosur prej tij.

–              Tek inceneratori i Tiranës ai ka qenë i përfshirë në letër këmbimet me ministrin Ahmetaj në kuadrin e personit në dijeni dhe gjithashtu i ka dërguar një letër Erion Veliaj (në fund të shkurtit) si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

–              Alqi Bllako ka marrë përsipër një risk për buxhetin e shtetit pasi ai ka pranuar që dy kompani pa kapital dhe pa të ardhura të mjaftueshme të fitojnë koncesionin e Elbasanit dhe Fierit. Ndërkohë që më vonë ka detyruar buxhetin e shtetit që të çelë pagesa ndonëse kompanitë kishin premtuar se kishin të ardhurat e tyre. Kjo ka vendosur në rrezik buxhetin e shtetit.

–              Babai i Alqi Bllakos, Edmond Bllako, rezulton të jetë i punësuar në një kompani koncesionare për të cilën djali i tij ka qenë personi numër dy përgjegjës si Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit. Gjithashtu edhe si person përgjegjës kur ka qenë në krye të AKUM.

–              AKUM e drejtuar nga Bllako ka urdhëruar mbylljen e Porto Romanos, duke lënë Durrësin pa një vend depozitim, duke shtyrë Bashkinë Durrës për të negociuar me Inc Tiranës.

–              Bllako gjithashtu ka kryer një negocim pa shpallje për EKO Park me vlerën 15 mln euro Tenderi Porto-Romanos që është negocim pa shpallje me vlerë 15 mln euro.

Është e qartë që ne po ju shpalosim shqiptarëve, abuzimin, mos respektimin e ligjit, papërgjegjshmërinë, dhe tashmë drejtësia duhet të tregojë se të gjithë janë të barabartë para ligjit.  Pavarësisht presionit, që sigurisht në një aferë ku është përfshirë gjysma e qeverisë është e madhe, kjo është prova për pavarësinë e drejtësisë.

Pasi të keni parë dhe dëgjuar të gjitha faktet ne Raportit Përfundimtar Te Komisionit Hetimor, çdo shqiptar duhet të pyesë veten se në cilën anë dëshiron të jetë.

Në anën e korrupsionit, në anën e hajdutëve?  Apo në anën e njerëzve që e kundërshtuan atë, me qëndrime të forta, pa u dorëzuar kurrë?

Përgjigja është e qartë.