Vendosni fjalën kyçe....

Kancelari gjerman gjatë vizitës në Izrael: Marrëveshja bërthamore me Iranin nuk mund të shtyhet më


Kancelari gjerman Olaf Scholz ka deklaruar se një marrëveshje e re bërthamore me Iranin “nuk mund të shtyhet më”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite në Izrael, vend i cili kundërshton fuqishëm përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

“Ajo që ne do të donim të shihnim është që një marrëveshje të arrihet në Vjenë.”- tha Scholz në një konferencë të përbashkët me kryeministrin izraelit Naftali Bennett në Jerusalem.

“Tani është koha për të marrë një vendim. Kjo nuk duhet të shtyhet më dhe nuk mund të shtyhet më.”- theksoi kancelari gjerman, citon Times of Israel.

Scholz u takua kokë më kokë me Benetin të mërkurën në mëngjes, në vizitën e tij të parë në Izrael që nga zëvendësimi i ish-kancelares Angela Merkel në dhjetor.

Vizita ishte planifikuar shumë përpara se pushtimi rus i Ukrainës të shkaktonte krizën më të madhe evropiane të sigurisë në dekada, por vazhdoi pavarësisht kësaj.

Kujtojmë se Izraeli i ka kritikuar fuqitë perëndimore për negocimin e një marrëveshjeje me Iranin për të kufizuar programin e tij bërthamor, duke thënë se çdo marrëveshje e mundshme nuk ka gjasa të garantojë sigurinë izraelite.

Duke iu drejtuar homologut të tij gjerman, Bennett tha: “Ne kemi gjithashtu përgjegjësinë të sigurohemi që Irani të mos ketë armë bërthamore dhe se nuk do të ketë asnjë mundësi për të përvetësuar armë bërthamore – as nën vëzhgimin tonë apo kurrë”.

Ai shtoi: “Ne po i ndjekim me shqetësim bisedimet në Vjenë dhe mundësia që do të nënshkruhet një marrëveshje që do t’i lejojë Iranit të instalojë centrifugat në një shkallë të gjerë brenda disa viteve nuk është e pranueshme për ne.”