Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti tragjik në Fushë-Krujë pas mesnate u merr jetën 4 personave, mes tyre një e mitur


E diela e sotme ka nisur me një aksident tragjik që ka ndodhur pak pas mesnate në aksin Fushë-Krujë-Milot, ku si pasojë kanë humbur jetën 4 persona.

Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Borizanë në Fushë-Krujë, ku dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën. Për shkak të përplasjes së rëndë kanë ndërruar jetë shtetasit Alfred Dika, 39 vjeç, dhe Artan Alushi, 30 vjeç, si edhe dy pasagjerët në automjetin e drejtuar nga ky i fundit: Shkumbin Brati, 20 vjeç, dhe Almenia Karaj,16 vjeçe.

Në këtë aksident ka mbetur e plagosur shtetasja R. H., 34 vjeçe, gjithashtu pasagjere në automjetin që drejtonte Alushi. Ajo ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

“Rreth orës 00:15, në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot, një automjet me drejtues shtetasin A. D., 39 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. A., 30 vjeç.   Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerët, shtetasit Sh. B., 20 vjeç, dhe A. K.,16 vjeçe, që ndodheshin në automjetin që drejtonte shtetasi A. A.

Gjithashtu, është dëmtuar shtetasja R. H., 34 vjeçe, pasagjere në automjetin që drejtonte shtetasi A.A., e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”– thuhet në njoftimin e Policisë.