Nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku ka paralajmëruar se do të ketë kallëzime penale, për të gjithë ata që pengojnë procesin zgjedhor, për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Ndërsa po fliste në një prononcim për mediat nga Vora, Tabaku shpjegoi ngërçin e krijuar në Vorë lidhur me komisionerët.
“Me një vendim të paprecedentë tre anëtarë të PS bashkuan votën me anëtarët e LSI kanë refuzuar që të zbatojnë vendimin e komisionerit të zgjedhjeve të marrë gjaë ditës së djeshme, për emërimin e komisionerëve të PD dhe vendimin e Kolegjit të Apelimit të marrë mbrëmë në orën 02.00 të natës. Ndërkohë që flasim në qendrat e votimit janë emëruar 22 sekretarët të cilët i përkasin PD dhe akoma nuk ka një vendim për kryetarët të cilët i përkasin po PD në 22 qendrat e tjera.
Të gjithë përfaqësuesit e PD janë nëpër komisione si vëzhgues por nuk janë duke kryer rolin e tyre si kryetar.
Unë iu bëj thirrje subjekteve politike të kalojnë përtej porosive partiake dhe politike, përtej atyre që i urdhërojnë me telefon dhe me mesazhe dhe të zbatojnë vendimin e Komisionerit të Zgjedhjeve dhe vendimin natën vonë mbrëmë të KAS-it.
Të gjithë përfaqësuesit e PD janë nëpër komisione. Unë që në orën 07.00 të mëngjesit kam lëvizur në pjesën më të madhe të qendrave dhe kam vënë re që ashtu siç e deklarova përfaqësuesit e PS me përfaqësuesit e LSI nëpër komisione kanë refuzuar që të zbatojnë këtë vendim.
I kërkoj të gjithë qytetarëve të Vorës, i kërkoj të gjithëe qytetarëve të Marqinetit, të Gërdecit, Marikaj, Muçajt, Fushë Prezë dhe të gjithë zonave përreth në bashkinë Vorë dhë të vijnë dhe të votojnë masivisht për subjektin Partia Demokratike.
Siç e shikoni në fletën e votimit ka vetëm një subjekt që e përfaqëson opozitën shqiptare që është Partia Demokratike, subjektet e tjera janë bërë të gjitha bashkë kundër Partisë Demokratike.”- deklaroi Tabaku.
Më pas ajo shtoi se “Jemi gati të zbatojmë vendimin e KAS dhe KQZ, do përgatisim kallëzime penale për të gjithë ata që pengojnë procesin.”.
Selia blu më pas njoftoi përmes një njoftimi për mediet se “pas shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor, vendimeve të Komisionerit
Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionit të Ankimeve dhe sanksioneve, Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI-së në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre, duke minuar procesin zgjedhor në këtë bashki.”