Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Ruse në Tiranë zbardh telefonatën mes Putinit dhe Erdoganit: Operacioni pezullohet vetëm nëse Kievi përmbush kërkesat


Ambasada e Rusisë në vendin tonë ka zbardhur telefonatën e zhvilluar ditën e sotme mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij turk Reccep Tayip Erdogan.

Në një njoftim në llogarinë zyrtare në Facebook, thuhet se Putin i shpjegoi Erdoganit me detaje qëllimet dhe objektivat e “operacionit special” të Rusisë në Ukrainë.

Ambasada thotë se gjatë kësaj bisede, u konfirmua gatishmëria e palës ruse për dialog me autoritetet ukrainase dhe partnerët e huaj me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

“Putin tha se pezullimi i operacionit special është i mundur vetëm nëse Kievi ndërpret veprimet luftarake dhe përmbush kërkesat e Rusisë.”- theksoi më tej ambasada.

Rusia këmbëngul se pushtimi i saj i Ukrainës nga toka, ajri dhe deti është një operacion ushtarak special, për të cilin Putini pretendon se është i nevojshëm për të “denazifikuar” vendin.

NJOFTIMI I AMBASADËS

Putin dhe Erdogan zhvilluan nje bisedë telefonike, gjate së cilës diskutuan tezat kryesore:

Presidenti i Federatës Ruse informoi për rrjedhën e operacionit special ushtarak për mbrojtjen e Donbasit, shpjegoi në detaje qëllimet dhe objektivat kryesore, duke theksuar se operacioni special po shkon sipas planit.

U konfirmua gatishmëria e palës ruse për dialog me autoritetet ukrainase dhe partnerët e huaj me qëllim zgjidhjen e konfliktit

Vëmendja u drejtua te fakti që nuk sjell perspektivë asnjë përpjekje për të zvarritur procesin e negociatave, çfarë përdoret nga forcat ukrainase për të rigrupuar trupat dhe mjetet e tyre

Putin tha se pezullimi i operacionit special është i mundur vetëm nëse Kievi ndërpret veprimet luftarake dhe përmbush kërkesat e Rusisë

Palët shprehën shpresën që gjatë raundit të planifikuar të negociatave, përfaqësuesit e Ukrainës do të tregojnë një qasje më konstruktive.