Vendosni fjalën kyçe....

Muret antike në Lezhë kthehen në banjë publike, ndotet zona arkeologjike tek vendvarrimi i Skënderbeut


Zona arkeologjike pranë vendvarrimit të Skëndërbeut në Lezhë është kthyer në tualet publik. Muret antik të ‘Lisusit’ të lashtë, përdoren nga qytetarë të papërgjegjshëm, për të kryer nevojat e tyre personale.

Kjo situatë vijon që prej vitit 2014-të kur ju hoq rrethimi zones arkeologjike dhe ndotja e krijuar është kthyer në një shqetësim mjaft të madh.

Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Lezhë, Paulin Zefi, thotë se për të ndaluar këtë fenomen, duhet të rrethohet zona. Ai tregon se projekti është gati që prej vitit 2015.

“Në vitin 2015 kemi hartuar një projekt për rrethimin e mureve. Kemi gjetur dhe donatorët. Vlera nuk është shumë, ka qenë 14 mijë euro. Ky projekt nuk ka marrë pëlqimin e drejtuesit të Ministrisë së Kulturës së asaj kohe. Uroj që duke parë situatën, drejtuesit e rinj të Ministrisë të kenë ndryshuar mendim dhe të merren masa për rrethimin. Grupet turistike mos të vijnë e të shohin këtë skandal, sepse është turp”, tha Paulin Zefi, Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Lezhë.

Nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Ermal Pacaj thotë se janë në kontakte me Ministrinë e Kulturës me qëllim aprovimin e lejes për t’i hapur rrugë projektit të rrethimit të zonës arkeologjike.

“Zgjidhja përfundimtare është rrethimi. Janë marrë hapa konkret. Ne jemi në korrespondencë me Ministrinë e Kulturës”, tha Ermal Pacaj, nëkryetar i Bashkisë Lezhë.

Zona arkeologjike, bashkë me vendvarrimin e Gjergj Kastriotit, janë asetet historike më të rëndësishme në Lezhë. Ata janë atraksione turistike dhe situata e krijuar është mënyra më e keqe e prezantimit të tyre para vizitoreve vendas e të huaj të cilët janë të shumtë në numër.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja