Kryeministri Edi Rama ka nisur një takim me furnizuesit e naftës për pasojat e luftës në çmimet e karburantit dhe ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë.
Në këtë takim janë të pranishme edhe ministret Belinda Balluku dhe Delina Ibrahimaj.
“Me furnizuesit e naftës për t’i vënë fre çdo spekullimi me pasojat e luftës në çmimet e karburantit.
Situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit si edhe transparencën e çmimit, prandaj ngrihet menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit.
Një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence, do të përcaktojë që nesër edhe kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës.”- shkruan Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se e githë bota është në mes të një krize, për shkak të luftës.
“Ky takim nuk është as detyra, as përgjegjësi as e qeverisë në një sistem demokratik ku me Kushtetutë është sanksionuar liria e tregut. Por sot besoj është e qartë për të gjithë dhe insistoj që mund të jemi të ndarë në opinione por duhet të jemi të bashkuar në fakte. Vendi ynë po përballet me pasojat e një lufte në Europë. Nuk e kemi nisur ne dhe nuk e dimë sa do të zgjasë. Lufta ka ardhur në Shqipëri me faturën e çmimit të energjisë, naftës dhe ndikimin në të gjitha çmimet. Ky është fakt.”- tha ai.
Kujtojmë se një ditë më parë, Rama tha se brenda 48 orëve do të publikonte masat e reja për menaximin e krizës.