Vendosni fjalën kyçe....

Protesta kundër rritjes së çmimeve, arrestohen 23 persona në Tiranë, procedohen penalisht 23 të tjerë


Pas protestës së ditës së djeshme përpara Kryeministrisë, policia ka vënë në pranga 23 persona dhe thotë se po punon edhe për arrestimin e një shtetasi tjetër. Ndërkohë që janë proceduar penalisht edhe 23 të tjerë.

Personat e arrestuar akuzohen për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Qytetarët protestuan ditën e djeshme kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe çmimeve të tjera.

Njoftimi i Policisë:

Penguan qarkullimin e mjeteve të transportit, prishën rendin dhe qetësinë publike dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë protestës së ditës së djeshme, arrestohen në flagrancë 23 shtetas, procedohen penalisht 23 të tjerë dhe po punohet për kapjen e një shtetasi tjetër.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Komisariateve në varësi të saj, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me protestën e zhvilluar në datën 10 mars 2022, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:

– N. L., 27 vjeç, Sh. B., 37 vjeç, A. K., 42 vjeç, R. M., 40 vjeç, S. Sh., 22 vjeç, H. Ç, 25 vjeç, I. B., 28 vjeç, E. M., 21 vjeç, I. B., 57 vjeç, F. I., 43 vjeç, D. T., 28 vjeç, I. P., 45 vjeç, J. K., 25 vjeç, B. D., 21 vjeç, A. M., 21 vjeç, A. M., 20 vjeç, N. L., 24 vjeç, E. T., 21 vjeç, A. A., 23 vjeç, R. M., 21 vjeç, G. T., 21 vjeç, J. Sh., 21 vjeç dhe Gj. B., 27 vjeçe.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 23 shtetas të tjerë dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. K., 23 vjeç.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protesës së datës 10 mars 2022.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos bllokojnë lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve sepse do të përballen me forcën e ligjit.