Vendosni fjalën kyçe....

Putin thotë se Rusia dhe Bjellorusia do të përfitojnë nga sanksionet perëndimore


Sanksionet perëndimore janë një mundësi për Rusinë që të forcojë sovranitetin e saj teknologjik dhe ekonomik. Kështu ka deklaruar këtë të premte presidenti rus Vladimir Putin.

“Vitet e fundit kanë treguar se aty ku perëndimorët vendosën kufizime kundër nesh, ne fituam kompetenca të reja dhe rivendosëm të vjetrat në një nivel të ri teknologjik.”- tha Putin në fjalën e hapjes së takimit të tij personal me udhëheqësin bjellorus, Alexander Lukashenko në Moskë.

“Kjo është një kohë mundësie për të ecur drejt forcimit të sovranitetit teknologjik dhe ekonomik.”– shtoi Putin, citon CNN.

Putini tha gjithashtu se beson që Rusia dhe Bjellorusia do t’i kalojnë këto vështirësi dhe madje do të “përvetësojnë më shumë kompetenca, më shumë mundësi për t’u ndjerë të pavarur, të vetë-mjaftueshëm dhe përfundimisht të përfitojnë prej tyre, siç ishte rasti në vitet e mëparshme”.

Lukashenko i bëri jehonë deklaratës së Putinit, duke thënë se Bjellorusia ka gjithçka që i nevojitet për të rivendosur ekonominë e saj nën sanksione.

“Ne duhet të rindërtojmë ekonominë tonë. Dhe ne kemi gjithçka që na nevojitet për të rivendosur ekonominë tonë, ne mund të bëjmë pa to. Ne kemi gjithçka për të vazhduar jetën dhe punën normale.”- tha presidenti bjellorus.

Lukashenko tha gjithashtu se ishte i kënaqur që lufta në Ukrainë filloi, duke përmendur akuzat e Rusisë në lidhje me rrezikun e armëve biologjike dhe centraleve bërthamore në Ukrainë. Lukashenko bëri gjithashtu një se Ukraina ishte “përgatitur për të sulmuar jo vetëm Donbasin, por gjithashtu vendosi pozicione për të sulmuar Bjellorusinë”.