Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte ka zgjedhur anën e SHBA-së nëse konflikti në Ukrainë shndërohet në një luftë të gjerë mes SHBA-së e Rusisë.
Duterte është gati të hapë bazat për trupat amerikane, u tha gazetarëve të enjten në Manila, Jose Manuel Romualdez, ambasador në Uashington për Filipinet. Kjo mbështetje do të përfshinte përdorimin e çdo aseti të Filipineve, ‘pa kufizime’, tha i dërguari, duke cituar komentet që Duterte bëri në një takim javën e kaluar.
Megjithëse ata kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike dhe kanë kërkuar të izolojnë Rusinë për sulmin e saj ndaj Ukrainës, SHBA dhe aleatët e saj në NATO janë përpjekur të shmangin një luftë më të gjerë me Moskën. Presidenti rus Putin ka paralajmëruar kundër ndërhyrjeve që do të konsideroheshin si luftë e drejtpërdrejtë me Rusinë, siç është shpallja e një zone ndalim-fluturimi në Ukrainë.
Duterte ka pasur një marrëdhënie të vështirë me Uashingtonin që nga marrja e detyrës në vitin 2016, duke kritikuar politikat e SHBA dhe duke kërkuar të krijojë lidhje më të forta me Rusinë dhe Kinën.
Ai kishte kërcënuar se do t’i jepte fund Marrëveshjes së Forcave të Manilës me Uashingtonin, e cila lejon forcat amerikane të stërviten në vendin e Azisë Juglindore, më pas u tërhoq vitin e kaluar pasi negocioi një paketë më të madhe ndihme.