Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi poston videon: Me pak investim rafineria e Ballshit prodhon naftë cilësore për 1 dollarë litrin, plotësohet 80% e nevojave në vend


Kryetarja e LSI-së ka postuar një video gjatë një takimi të saj me naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit gjatë grevës së tyre të urisë në tetor 2020.

Në video naftëtarët thonë se Rafineria e Ballshit me shumë pak investim mund të vihet në punë dhe të prodhojë naftë D1 e D2 sipas standarteve europiane.

Kryemadhi shkruan në Facebook se nafta shqiptare përpunohet ë Rafinerinë e Ravenas në Itali që kushton 100 milion euro.

Ajo shton më tej se nëse në Shqipëri ngrihet një rafineri e këtillë vendi mund të plotësojë 80% të nevojave nga prodhimi vendas.

“Nafta jonë bruto është vërtetë e rëndë, me përqindje(%) të lartë plumbi, por ajo pastrohet në Rafinerinë e Ravenas në Itali. Kjo rafineri kushton 100 Milionë Euro. Më mirë të ndërtojmë një rafineri që kushton 100 mln Euro, pasi Shqipëria prodhon 23 mijë fuçi në ditë, që do të mbulonte mbi 80% të nevojave të vendit, apo të ndërtojmë inceneratorë që kushtojnë dhe çojnë dëm 430 milionë Euro? Më mirë një rafineri nafte, apo të financojmë koncesionin korruptiv të check up, që nuk funksionon? Një rafineri moderne do të nxirrte naftë për tregun vendas me një kosto 1 USD/litër, e do të punësonte mbi 1000 naftëtarë që do të mirëpaguheshin. Kjo do të ulte ndjeshëm kostot e rënduara për shqiptarët e varfër që sot po e blejnë naftën me 2.2€, më shtrenjtë edhe nga vendet që s’kanë fare naftë! Kjo është politika me interes kombëtar që duhet të bëjmë për të mbrojtur ekonominë tonë nga krizat e njëpasnjëshme, si ajo e Covid19 apo kriza e luftës në Ukrainë. Vetëm kështu do të ishim të pavarur nga bursat apo tregjet botërore.  Shqipëria i ka të gjitha mundësitë e pavarësisë energjetike nga bota. Zoti e ka bekuar me pasuri të tilla si nafta, burimet hidrike, dielli. I mungon vetëm një qeveri e politike me interes kombëtar. Ju ftoj të ndiqni fjalët e vetë naftëtarëve gjatë grevës së urisë, në datë 17 Tetor 2020.” – shkuan Kryemadhi.