Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi, Tabaku e deputetët i kërkojnë Bashës dorëheqjen: Një hap pas i juaji që merr me vete edhe Sali Berishën i hap rrugën bashkimit


Janë shtuar zërat mes deputetëve të PD-së që i kërkojnë Lulzim Bashës dorëheqjen.

Pas Alibeajt në mbledhjen me dyer të mbyllura në selinë blu, dorëheqjen e Bashës e kanë kërkuar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm Bardhi, nënkryetarja Jorida Tabaku e disa deputetë.

Sipas numrit dy të selisë, tërheqja e Bashës që do merrte me vete nga pas edhe ish-kryeministrin Berisha do i hapte rrugën një procesi bashkimi në PD e do frenonte gërryerjen e partisë.

Bardhi ka theksuar se vendimi për ish-kryeministrin Berisha nuk mund të zhbëhet por tërheqja e tij dhe e Bashës do i jepte mundësinë partisë të bashkohej.

“Vendimin e 9 shtatorit e mbështes sa teë kem frymë, jo për shkak të karriges së askujt, por se besoj edhe sot se është rruga e vetme për të fituar. Për shkak të atij vendimi partisë iu shpall luftë. Jemi në gjendje lufte dhe po e dëmton PD-në në sytë e opinionit publik. Për të ndalur gërryerjen e partisë, e vlerësoj qëndrimin tuaj për t’u vendosur në dispozicion të grupit dhe kryesisë për të gjetur një zgjidhje. Një hap pas i juaji që merr me vete edhe Sali Berishën, i hap rrugën një procesi bashkimi dhe është shansi i vetëm për t’i dhënë mundësi PD-së. Ne nuk mund të improvizojmë sepse rrezikojmë të copëzohemi akoma më shumë. Na duhet të gjejmë një zgjidhje të plotë, jo të pjesshme. Na duhet një zgjidhje që qetëson demokratët. Pra, vendimi per Sali Berishën nuk mund të zhbëhet. Këtu kemi qenë të gjithë dhe e kemi mbështetur. Tërheqja juaj dhe e Sali Berishës mund të përbashkojë, dhe mund te jap një shans për zgjidhje.” – ka thënë Bardhi.

Tabaku tha gjatë fjalë së saj se e përçarë PD-ja nuk mund të fitojë asgjë, për këtë arsye i duhet të bashkohet.

Ajo theksoi se nuk bëhet fjalë për karrierën personale të askujt po për të ardhmen e PD-së.

“Në politikë na dallon qëndrueshmëria. Nga 9 shtatori kam kërkuar bashkimin. Jam sulmuar pse kam kërkuar që të jemi bashkë. Rezultati që morëm në terren, na dëmtoi. Edhe pala tjetër nuk arriti asgjë. Pra vetëm bashkë mund t’ia dalim. Në Vorë më thanë se nga 25 prilli nuk ka patur njeri në terren nga PD. Ne nuk mund të jemi parti zyrash. Në çdo mbledhje, kam kërkuar që të mos përjashtojmë njerëz. Nuk jemi në politike për karrige. Unë jam gati të ik dhe si deputete. Nuk është karriera individuale në lojë, as e Bashës, e Joridës. Është PD në lojë. Secili duhet të kalojë mbi vete dhe të shohim cili është ky hapi përbashkues. Besoj kryetar që ju duhet të bëni një hap pas. Të gjejmë një mënyrë sesi faktorët në PD të bashkohen dhe ne të ecim përpara. Besoj se ne duhet të ishim sot në proteste. Ata presin që ne të jemi përballë Edi Ramës, jo njeri-tjetri. Na kanë votuar për alternativë qeverisëse dhe ne duhet të jemi një alternativë e tillë.” – ka thënë Tabaku.

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur në mbledhje edhe nënkryetari Alibeaj, Helidon Bushati, Dashnor Sula e të tjerë deputetë të pranishëm në mbledhje. Ata i shtohen listës së deputetëve të PD-së që e kanë kërkuar prej ditësh dorëheqjen e Bashës mes të cilëve nënkryetarja Duma, Salianji, Alizoti e të tjerë.