Vendosni fjalën kyçe....

Mbi protestat


Nga Boiken Abazi

Rama pretendon se protestat në mbrapaskenë i shtynë Berisha dhe Meta. Pajtohem pjesërisht me këtë konstatim të Ramës. Berisha dhe Meta kanë interesin t’i dëshmojnë ndërkombëtarëve se ata janë faktor i paanashkalueshëm. Tashmë që kanë fituar Shkodrën dhe kanë mundur Bashën bindshëm, ata synojnë rimarrjen e kontrollit të PD-së zyrtare, ku më tej marrin edhe të drejtat për komisionet parlamentare, kohën në foltoren e Kuvendit, buxhetin që i takon PD-së dhe komisionerët në zgjedhjet e ardhshme. Ata po kërkojnë normalizimin e marrëdhënies së tyre me ndërkombëtarët dhe njohjen e tyre formale si opozita kryesore e vendit.

Thirrja mbizotëruese në protestë është “Rama Ik”. Berisha dhe Meta e dinë që në kohë lufte ndërkombëtarët do bëjnë çmos që Rama mos të largohet me protesta për shkak të idesë se vendi ka nevojë për stabilitet. Berisha dhe Meta e dinë që gjasat që të ndodh largimi i Ramës në këtë kohë janë të vogla, prandaj interesi i tyre kryesor është presioni nga poshtë me protesta për rimarrjen e opozitës zyrtare të vendit duke dëshmuar se janë të aftë të organizohen në terren, në Tiranë e në rrethe, duke i nxjerr njerëzit e tyre në protesta që i pamundësojnë Ramës të qeverisë me stabilitet në një gjendje lufte. Ka mundësi që nëse Berisha dhe Meta marrin atë që po kërkojnë në lidhje me PD-në dhe opozitën, do ishin të gatshëm të mos i shtynin njerëzit e tyre të dalin në këto protesta.

Mirëpo, shpjegimi i mësipërm nuk është shterues. Në protesta po marrin pjesë edhe qytetarë e grupime formale dhe informale që nuk janë aty për synimet e Berishës dhe Metës. Këto grupe nuk janë të lidhur me njeri-tjetrin, nuk kanë të njëjtat synime e bindje, dhe nuk kanë as të njëjtat kërkesa të unfikuara. Pjesëmarrja e këtyre qytetarëve dhe fakti që qeveria tashmë ka bërë disa “lëshime” dhe ka ndërmarrë disa masa të pjesshme, dëshmon për faktin se protestat ishin të drejta dhe tejkalojnë interesat e Berishës, Metës dhe Ramës, apo edhe të negociatave dhe presioneve që mund të jenë duke u zhvilluar në mbrapaskenë.

Në mënyrë që protestat të krijojnë një frymë opozitarizmi jashtë interesave të Berishës dhe Metës, apo edhe të Ramës, do ishte gabim nëse ato unfikohen nën frymën e sloganit “Rama ik“. Protestat kanë nevojë për kërkesa konkrete të matshme të modelit të ekonomisë së luftës. Nëse këto kërkesa nuk hartohen dhe nuk unifikohen, atëherë slogani përbashkues i këtyre protestave do mbetet “Rama ik” – dhe kjo, në gjendje lufte, paradoksalisht i intereson Berishës, Metës, por edhe Ramës.