Vendosni fjalën kyçe....

Josep Borrell vjen sot në Tiranë


Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, viziton sot Tiranën. Ai do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama si dhe me Ministren e Jashtme Olta Xhaçka.

Pas takimit në Kryeministri, Borrel dhe Rama pritet të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp në orën 11:00.

Vizita e zyrtarit të lartë të BE-së në Tiranë vjen në kuadër të një turi ballkanik që përfshin po ashtu edhe Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën, për të konfirmuar mbështetjen për rajonin pas luftës në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Borrell do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë të autoriteteve shqiptare dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Po ashtu ai do të vizitojë punimet në mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar, i rinovuar nën ndihmën e BE-së për rimëkëmbjen pas tërmetit.

Vizita e Borrell vjen në një moment delikat, kur Rusia ka nisur një sulm ndaj Ukrainës dhe situata ka ndikuar edhe Europën dhe botën.

Borrell në deklaratat e tij publike është shprehur se sulmi rus ndaj Ukrainës është i pajustifikuar.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmin e pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Në këto orë të errëta, mendimet tona janë me Ukrainën dhe gratë, burrat dhe fëmijët e pafajshëm ndërsa përballen me këtë sulm të paprovokuar dhe frikë për jetën e tyre. Ne do të mbajmë përgjegjës Kremlinin.”- ka thënë Borrell.