Vendosni fjalën kyçe....

3 kryeministra nga vendet e BE-së nisen drejt Kievit


Kryeministri polak Mateusz Morawiecki dhe zëvendëskryeministri Jaroslaw Kaczynski, kryeministri çek Petr Fiala dhe kryeministri slloven Janez Jansa mbërritën në Ukrainë dhe janë nisur për në Kiev, njoftoi të martën zyra e kryeministrit polak.

“Rreth një orë më parë, treni i kryeministrit, zëvendëskryeministrit Jaroslaw Kaczynski dhe kryeministrave të Republikës Çeke dhe Sllovenisë kaluan kufirin polako-ukrainas”, shkroi zyra në Twitter.

Udhëheqësit do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin Denys Shmyhal në Kiev. Qëllimi i takimit është të shprehë mbështetjen e qartë të Bashkimit Evropian ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës dhe të diskutojë një paketë të gjerë masash mbështetëse.

Sipas zëdhënësit të qeverisë polake Piotr Müller, takimi u ra dakord pas konsultimeve me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, me qëllim dërgimin e ‘një sinjali të fortë për paqen’.

Moska sulmoi fqinjin e saj në fund të shkurtit, duke e akuzuar Kievin se kishte dështuar për të zbatuar kushtet e marrëveshjeve së Minskut lidhur me rajonet separatiste të Donetskut e Luganskut.

Rusia tani ka kërkuar që Ukraina të shpallet zyrtarisht një vend neutral që nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO. Kievi këmbëngul se ofensiva ruse ishte plotësisht e paprovokuar dhe ka mohuar pretendimet se po planifikonte të rimarrë të dy republikat me forcë.