Aktivisti Adriatik Lapaj ka zbuluar gjatë protestës së sotme disa kërkesa dhe i ka lënë qeverisë ultimatum deri të shtunën për plotësimin e tyre.
Kërkesat fillojnë që nga heqja e taksave mbi naftën, e deri te rishikimi i buxhetit 2022, në mënyrë që sipas tyre të rishikohet kriza.
Kërkesa e përgjithshme është ulja e qëndrueshme e çmimit të karburantit me vendet e rajonit. Respektimi për shtresat vulnerabël dhe shtresave në nevojë.
-Heqja e taksës së qarkullimit dhe pezullim i alternuar i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit.
-Pezullim i TVSH-së për produktet e shportës bazë.
-Përcaktimi dhe ngritja e përkohshme e marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun.
-Zgjerim i skemës së kompensimit dhe mbështetjes së fermerëve.
-Paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike deri në tejkalimin e krizës dhe përcaktimin e minimumit jetik.
-Hetim e mbikëqyrje e koncesioneve dhe shpenzimeve që ndikojnë në buxhetin e shtetit, si dhe e operatorëve që mund të ndikojnë arbitrarisht në rritjen e çmimeve.
Protestuesit lajmëruan që nuk protestojnë deri ditën e shtunë, për t’u rimbledhur sërish të shumtë në numër dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.