Vendosni fjalën kyçe....

Vriten në Ukrainë dy gazetarë, ishin në të njëjtën makinë me gazetarin e Fox News që u plagos


Dy gazetarë janë vrarë në Ukrainë teksa po udhëtonin me një automjet të përfshirë në të njëjtin sulm që la të plagosur rëndë një gazetar britanik. Pierre Zakrzewski, 55 vjeç, i cili ishte një shtetas irlandez, por me banim në Londër dhe producentja ukrainase Oleksandra Kuvshynova vdiqën në Horenka të hënën.

Mendohet se dyshja po udhëtonin në të njëjtin automjet si gazetari britanik 39-vjeçar Benjamin Hall, i cili gjithashtu punon për Fox News, kur u qëlluan, shkruan Daily Mail.

Hall, baba i tre fëmijëve, u godit në të dyja këmbët nga plumba dhe mbetet në spital. Shefja ekzekutive e Fox News Media, Suzanne Scott i tha stafit në një memo se Zakrzewski mbuloi ‘pothuajse çdo histori ndërkombëtare’ për rrjetin amerikan nga Iraku në Afganistan e deri në Siri dhe vlerësoi ‘trimërinë, profesionalizmin dhe etikën e tij të punës’.

Scott tha gjithashtu se Zakrzewski luajti një rol kyç në largimin e bashkëpunëtorëve të pavarur afganë të Fox News dhe familjeve të tyre nga vendi pas tërheqjes së SHBA-së.

Gazetarja tjetër që humbi jetën në sulm ishte ukrainasja Oleksandra Kuvshynova. Homazhet e përshkruan atë si ‘të gjallë dhe plot jetë’ dhe miqtë dhe kolegët thanë se ajo ishte e shkëlqyer në punën e saj.