Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina refuzon propozimin e Rusisë për një neutralitet të “stilit austriak”


Një nga këshilltarët e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky ka deklaruar se propozimi i Rusisë që Ukraina të miratojë një neutralitet të stilit austriak është i papranueshëm për vendin.

Mykhailo Podoliak, i cili është pjesë e ekipit negociator ukrainas, u tha mediave lokale se çdo marrëveshje paqeje duhet të jetë në kushte që mbrojnë sovranitetin e Ukrainës.

“Ne e kuptojmë përpjekjen e partnerëve tanë për të qëndruar proaktivë në procesin e negociatave.”– tha Podoliak sipas BBC-së. “Prandaj fjalët për ‘modelin suedez’ ose ‘austriak’ të neutralitetit. Por Ukraina tani është në një gjendje lufte të drejtpërdrejtë me Rusinë.”

Më pas Podoliak shton: “Prandaj, modeli mund të jetë vetëm ‘ukrainas’ dhe vetëm me garanci sigurie të verifikuara ligjërisht. Dhe asnjë model apo opsion tjetër.”

Më herët këtë mëngjes, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Rusia ishte e hapur për një marrëveshje paqeje me një Ukrainë neutrale që të mbajë ushtrinë dhe marinën e saj si Austria ose Suedia.