Vendosni fjalën kyçe....

Rusia përjashtohet nga Këshilli i Evropës


Këshilli i Evropës ka përjashtuar Rusinë pas 26 vitesh anëtarësim.

“Në një takim të jashtëzakonshëm sot në mëngjes, Komiteti i Ministrave vendosi, në kuadër të procedurës së nisur në bazë të nenit 8 të Statutit të Këshillit të Evropës, që Federata Ruse të pushojë së qeni anëtare e Këshillit të Evropës që nga sot.”- thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Këshillit.

Vendimi vjen pas një opinioni të miratuar të martën nga Asambleja Parlamentare e KiE-së, e cila konsideroi se “Federata Ruse nuk mund të jetë më një shtet anëtar i Organizatës”.

Këshilli i Evropës tha se “agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar” i Rusisë ndaj Ukrainës çoi në vendimin e Komitetit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare për të nisur procedurën e dëbimit të Federatës Ruse.

Çfarë thonë Rusia dhe Ukraina: Ministria e Jashtme ruse u përgjigj se do të tërhiqej nga struktura pan-evropiane, duke argumentuar se miratoi një “vendim diskriminues” për të pezulluar përfaqësimin e vendit më 25 shkurt.

Në një fjalim në dhomë të hënën, kryeministri ukrainas Denys Shmyhal kërkoi që Rusia të përjashtohej nga Këshilli i Evropës, duke thënë se Ukraina ishte “në zjarr”.

Ndryshe nga Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare dhe është gjithashtu një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara. Ajo është gjithashtu një strukturë mëmë e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Rusia u bashkua me Këshillin e Evropës më 28 shkurt 1996.

“Përmes veprimeve të tyre në Ukrainë, autoritetet ruse e privojnë popullin rus nga përfitimi i sistemit më të avancuar të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, duke përfshirë juridiksionin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe sistemin tonë të gjerë të konventave.”- thuhet në deklaratën e Këshillit të martën.