Vendosni fjalën kyçe....

Papa dhe Patriarku i Kishës Ruse bisedojnë luftën në Ukrainë


Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse Ruse dhe Papa Françesku kanë biseduar për luftën në Ukrainë të mërkurën, tha zyra e Kirillit.

Kjo është biseda e parë e dy liderëve fetarë që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Patriarkati i Moskës përmes një deklarate tha se dy krerët fetarë kanë biseduar për “aspektet humanitare të krizës që po vazhdon” dhe për rëndësinë që të ketë bisedime të paqes.

Ata po ashtu kanë diskutuar “se çfarë veprimesh mund të marrin Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Katolike Romake për të kapërcyer pasojat e saj”, tha pala ruse.

Ndërkaq, në deklaratën e lëshuar nga Vatikani, për bisedën që është zhvilluar përmes video-lidhjes u tha se Papa i tha Kirillit se “ata që e paguajnë çmimin e luftës janë populli, ushtarët rusë dhe njerëzit që po bombardohen dhe po vdesin”.

Kirill, 75 vjeç, është një aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin. Ai ka bërë deklarata në mbrojtje të veprimeve të Moskës në Ukrainë dhe ai e sheh luftën si një mburojë kundër një Perëndimi, që ai e konsideron dekadent, veçanërisht për shkak të pranimit të homoseksualitetit.