Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri i Norvegjisë: Katër ushtarë amerikanë kanë vdekur pas rrëzimit të avionit gjatë stërvitjes


Kryeministri i Norvegjisë Jonas Gahr Støre ka njoftuar këtë të shtunë se katër ushtarë amerikanë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti ajror.

Në një postim në “Twitter” ai shkroi: “Me pikëllim të madh morëm mesazhin se katër ushtarë amerikanë vdiqën në një aksident avioni mbrëmë.”

Ai bëri me dije se ngjarja nuk ka lidhje me zhvillimet në Ukrainë, por se ushtarët amerikanë po merrnin pjesë në një stëvitje që organizohet çdo dy vite.

“Ushtarët morën pjesë në stërvitjen e NATO-s ‘Përgjigjja e Ftohtë’. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet e ushtarëve, të afërmit dhe bashkëluftëtarët në njësinë e tyre.”- shtoi Støre.

Sipas NATO-s: “Përgjigja e Ftohtë 2022 është një stërvitje e planifikuar gjatë dhe e rregullt, të cilën Norvegjia e pret çdo dy herë në vit. Stërvitja e këtij viti u njoftua më shumë se tetë muaj më parë. Nuk është e lidhur me pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, të cilit NATO po i përgjigjet me masa parandaluese, proporcionale dhe joshkallëzuese”.