Ministri i Jashtëm i Turqisë tha në një intervistë të botuar të dielën se Rusia dhe Ukraina ishin afër marrëveshjes për çështje “kritike” dhe ai shpresonte për një armëpushim nëse të dy palët nuk tërhiqen nga përparimi i arritur deri më tani, raporton Reuters.
Forcat ruse pushtuan Ukrainën më 24 shkurt. Presidenti Vladimir Putin i ka quajtur veprimet e Rusisë një “operacion special” që synon të çmilitarizojë Ukrainën dhe ta pastrojë atë nga ata që ai i sheh si nacionalistë të rrezikshëm. Ukraina dhe Perëndimi thonë se Putini filloi një luftë agresive të zgjedhur.
Ministrat e Jashtëm, Sergei Lavrov i Rusisë dhe Dmytro Kuleba i Ukrainës u takuan në qytetin turistik turk të Antalias në fillim të këtij muaji me Ministrin e Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu gjithashtu i pranishëm. Diskutimet nuk dhanë rezultate konkrete.
Por Cavusoglu, i cili gjithashtu udhëtoi në Rusi dhe Ukrainë javën e kaluar për bisedime me Lavrov dhe Kuleba, i tha të përditshmes turke Hurriyet se kishte pasur “afrim në pozicionet e të dyja palëve për tema të rëndësishme, tema kritike”.
“Mund të themi se shpresojmë për një armëpushim nëse palët nuk bëjnë një hap prapa nga qëndrimet aktuale,” tha ai, pa elaboruar çështjet.
Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin, duke folur për televizionin Al Jazeera, tha se të dyja palët po afroheshin më shumë për katër çështje kyçe. Ai përmendi kërkesën e Rusisë që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n, çmilitarizimin, atë që Rusia e ka quajtur si “denazifikimi” dhe mbrojtjen e gjuhës ruse në Ukrainë.