Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu: Kuvendi i 30 Prillit do të mbahet, bashkimi i demokratëve vjen me votë


Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili është pjesë e Komisionit të Rithemelimit thotë se Kuvendi i 30 Prillit nuk do të shtyhet.

 “Kuvendi i 30 Prillit do të mbahet. Kemi diskutuar ditën e djeshme për organizimin e partisë dhe patjetër që forma e vetme për bashkimin e demokratëve është vota dhe zgjedhjet.

Çdo propozim që mund të vijë nga mendimi ndryshe është mëse i mirëpritur, por gjithçka do të votohet dhe do të vendoset në Kuvend.”- tha Balliu për “News 24”.

Një ditë pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Komisioni i rithemelimit mbajti një mbledhje me fokus zhvillimet e fundit dhe organizimi i Kuvendit Kombëtar të 30 Prillit. Deputetët e grupit parlamentar të PD-së dhe ata të Komisionit të Rithemelimit janë në negociata për bashkimin e partisë.

Në prononcimin për “News 24”, Balliu tha se hapi që do i çojë demokratët drejt bashkimit është harmonizimi i qëndrimeve të grupit parlamentar, ku duhet të zgjidhjet një kryetar grupi i pakontestuar nga palët.

“Nuk mund të kemi një grup parlamentar me ato vendimet qesharake, të pezulluar, të përjashtuar përjetësisht e të tjera me radhë. Tani kërkohet që të kemi një grup parlamentar normal, me një kryetar të grupit parlamentar që është i pranueshëm për të gjithë.”- tha Balliu.

Ish-deputeti komentoi edhe kërkesën për përjashtimin e Sali Berishës në rezolutën e kryetarit të ri të komanduar të PD-së Enkelejd Alibeaj, duke thënë se: “Ajo ishte një fletushkë e shkruar nga Lulzim Basha.”

Për Berishën, ish-deputeti shprehet i bindur se ai mund ta çojë Edi Ramën “në pension” dhe të kthejë demokratët në pushtet. Megjithatë shton se vetëm vota e përcakton se kush do të jetë kryetar i PD-së.

“Sali Berisha në 4 muaj në 6 bashki, e mori një bashki. Mori Shkodrën. Në një vit imagjinoni çfarë mund të bëjë. Po në katër? E nxjerr Ramën në pension. Por nuk më takon mua dhe askujt të vendosi se kush do të jetë kryetar partie. Atë e vendos vota.”- komentoi Balliu.